Të paktën 39 persona kanë humbur jetënb dhe 29 të tjerë kanë mbetur të plagosur, pas një zjarri të madh që ra në një qendër emigrantësh në qendër të qytetit meksikan të Ciudad Juárez, pranë kufirit me SHBA-në.
Ambulanca, zjarrfikës dhe furgonë për të transportuar trupat e pajetë mbërriutën menjëherë në vendngjarje. Numri i të vdekurve dhe të plagosurve u dha nga një zyrtar i Institutit Kombëtar të Emigracionit të Meksikës, i cili drejton objektin.
Sipas autoriteteve shkaku i zjarrit nuk dihet ende, ndërsa në këtë qendër ishin strehuar 68 burra të rritur nga Amerika Qendrore dhe Jugore.
Ciudad Juárez është një pikë kalimi e përdorur shpesh nga emigrantët që hyjnë në SHBA. Qendrat e saj strehojnë emigrantë që presin mundësinë për të kaluar ose që kanë kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.