Duket se po jepen sinjalet e para të pjesmarrjes së opozitës në zgjedhjet vendore. Kryetari I Partisë Republikane ka deklaruar se bashkarisht me Partinë Demokratike, po punojnë për të zgjedhur kandidatët për zgjedhjet e 21 qershorit. Madje Mediu ka gati edhe emrin e një prej kandidatëve, atë të Agron Dukës, menduar për Qarkun e Durrësit.
“Jemi në fazën e diskutimeve edhe me kolegët e PD, edhe brenda PR, në një ndarje rajonale që kemi bërë sipas ndarjes që ka qenë më parë për të parë, mundësitë e kandidimit, por edhe për të përzgjedhur kandidatët, të cilët do të jenë të përbashkët. Nuk ka asgjë që do imponojë PR, por nuk mund të pranojmë edhe imponimet të cilat nuk janë të suksesshme nga cila forcë politike që do vijë. Zoti Duka është deputet i PR, që ka një autoritet të fuqishëm në qarkun e Durrësit dhe këtë e ka treguar edhe me rezultatet e tij konkrete. Ne nuk do të diskutojmë asnjë emër në mënyrë preferenciale, por do të mundësojmë kandidatura që të jenë fituese”, është shprehur Mediu.
Mediu ka bërë publike bindjen e tij se ndarja e re territoriale, aspak e pëlqyeshme nga partia që drejton, është bërë vetëm për qëllime elektorale. “Ne kemi bindjen dhe kemi një analizë të qartë sesi janë bërë qendër për qendër votimi, duke llogaritur PS, PSD, LSI dhe aktorë të tjerë për të arritur që të fitojnë zgjedhjet. Ne këtë hartë e kemi të papranueshme dhe do të bëjmë debatin tonë në opinonin publik, por edhe me faktorët, të cilët vëzhgojnë proceset në Shqipëri.”, theksoi Mediu.