
Aleatët në mazhorancën maqedonase, LSDM e kryeministrit Zoran Zaev dhe BDI e Ali Ahmetit, janë dakordësuar që kandidati i tyre i përbashkët për president në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit, të jetë juristi dhe akademiku Stevo Pendarovski.
Pendarovski ka qenë edhe gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2014-të si kandidat për president nga radhët e SDSM-së, zgjedhje të cilat u fituan në raundin e dytë nga kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov.
Zaev pas takimit me strukturat partiake ka deklaruar se partia e tij dhe të gjithë aleatët e tjerë janë dakordësuar për Pendarovskin si kandidat presidencial.
Kryeministri dhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, si dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti të mërkurën arritën marrëveshje për kandidatin e përbashkët presidencial, i cili pritet të mbështetet nga Alternativa dhe PDSH-ja.
Aleanca për Shqiptarët dhe BESA, dje pas shpalljes së kandidaturës së pavarur nga profesori Blerim Reka njoftuan se do ta mbështesin atë. Në garë është edhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së opozitare, Gordana Siljanovska-Davkova.
Raundi i parë zgjedhor për zgjedhjet e presidentit të gjashtë të Maqedonisë së Veriut, u caktua për më 21 prill, ndërsa i dyti do të mbahet më 5 maj.