Hapësire reklamuese

Aktualitet

Zgjedhjet në UT, Ambasada e SHBA 20 vëzhgues për të monitoruar procesin

Shkruar nga Newsbomb

Në datën 20 prill do të zhvillohen zgjedhjet për drejtuesit e rinj në universitetet publike. Në Universitetin e Tiranës, gara për rektor të UT është mes dy kandidatëve, Prof. Mynyr Konit dhe Prof. Klodeta Dibrës. Sipas kryetares së Komisionit Institucional Zgjedhor (KIZ) në Universitetin e Tiranës, Majlinda Keta, për herë të parë zgjedhjet për drejtuesit e rinj do të vëzhgohen nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane si dhe vëzhgues nga Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme.

Ndër të tjera, kryetarja e KIZ ka konfirmuar për "Gazetën Shqiptare", se Prof. Koni nuk është larguar nga gara për postin e rektorit të UT, pasi nuk ka asnjë kërkesë zyrtare të tillë nga ana e tij për të lënë garën. Gjë kjo që u konfirmua edhe nga vetë kandidati për rektor i UT, nëpërmjet një deklarate për shtyp ku shkruan se: "Unë, kandidati Mynyr Koni, vazhdoj të jem në garë për postin e rektorit të UT. U kërkoj studentëve dhe stafit akademik që së bashku ta çojmë përpara këtë proces zgjedhor me urtësinë dhe zgjuarsinë që karakterizon botën tonë akademike".

Zgjedhjet & vezhguesit

Ditën e shtunë, më 16 prill, Komisioni Institucional Zgjedhor i UT ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit me Këshillin Rinor të Ambasadës Amerikane për vëzhgimin e procesit zgjedhor për drejtuesit e rinj të këtij universiteti. Marrëveshja është firmosur mes kryetares së KIZ, Majlinda Keta dhe Fjori Cakës, kryetare e Këshillit Rinor në Ambasadën Amerikane. "KIZ ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, për të vëzhguar zgjedhjet për drejtuesit e rinj në Universitetin e Tiranës me Këshillin Rinor pranë Ambasadës Amerikane, që janë një grup të rinjsh nga fakultete të ndryshme. Akreditimi i tyre u bë ditën e shtunë, po ashtu në të njëjtën ditë u lidh edhe marrëveshja me Koalicionin për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme.

Në total janë akredituar 20 vëzhgues nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, dhe 20 vëzhgues nga Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme. Keta vëzhgues janë përfaqësues të KIZ dhe kanë te drejtën të shkojnë në të gjitha pikat e votimit. Ndërsa vëzhgues të kandidatëve deri tani kemi akredituar 80 persona, por kandidatët kanë afat deri ditën e fundit, pra në 19 prill, nëse duan të paraqesin emrat e vëzhguesve ose të shtojnë numrin e vëzhguesve që kanë", — thekson Majlinda Keta, kryetarja e Komisionit Institucional Zgjedhor të Universitetit të Tiranës. Sipas saj, ditën e hënë ajo personalisht do bëjë trajnimin e 20 vëzhguesve të Këshillit Rinor të ambasadës, të cilat do jetë isytël e KIZ në çdo qendër votimi në 6 fakultetet e UT-së.

"Struktura e re e vëzhguesve, e realizuar nëpërmjet dy marrëveshjeve të nënshkruara, nuk ka qenë kurrë më parë. Kërkesat për tiu bërë pjesë e monitorimit të zgjedhjeve në UT, erdhën nga Këshilli Rinor i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, dhe nga Koalicioni për Zgjedhje të Lira, por dhe KIZ e pa si një mundësi shumë të mirë për të rritur nivelin e transparencës. Vëzhguesit do të monitorojnë procesin para nisjes së votimit, për të cilin do raportojnë në KIZ në kohë rekord, por edhe gjatë procesit të votimit", — thekson Keta. Sa i përket procesit, ajo sqaron se fletët e votimit janë drejt përfundimit. "Fletët e votimit për kandidatët për rektor dhe dekan janë gati. Po vijohet me printimin e fletëve të votimit për anëtarët e senatit dhe shefat e departamenteve", — theksoi Kryetarja e KIZ, Majlind Keta.

Drejtuesit e rinj të universiteteve, rektor dhe dekan, do të zgjidhen nga votat e stafeve akademike dhe vota e studentëve. Me ligjin e ri të arsimit të lartë, vota e studentëve përbën vetëm 10% të votave në total, nga 20% që ka qenë me ligjin e mëparshëm. Peshën kryesore për zgjedhjen e drejtuesve të Institucioneve të Arsimit të Lartë e kanë pedagogët, vota e të cilëve përbën 90% të votave. (GSH)

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu