Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,si dhe kryeministri në largim Ramush Haradinaj, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.
Gjatë një takimi me qytetarët e Klinës, Haradinaj iu referua PDK-së dhe Kadri Veselit duke thënë se me të paguximshëm dhe me servilë nuk luftohet korrupsioni.
‘Po thonë kemi me e luftu korrupsionin. Shumë mirë! Si do ta luftojnë këta korrupsionin? Këta frikësohen me i thënë dikujt se çfarë besojnë! I kam parë, besoni, frikësoheshin që t’i thonë aletëve, jo armiqve për atë se çka besojnë e çka nuk besojnë. Veç servilizëm! Servili nuk lufton asgjë! Servili aty të lë’, ka thënë Haradinaj.
Veseli ka bërë të ditur se do të luftojë korrupsionin nëse do të zgjidhet kryeministër. Madje ai kishte marrë vendim që të largoheshin të gjithë ministrat dhe zevendësministrat nga radhët e PDK-së që kanë aktakuzë gjatë qeverisjes së Haradinajt.