Partia e majtë Syriza shkaktoi një tërmet të vërtetë në Kancelaritë Europiane me fitoren e saj në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj të diele në Greqi. Syriza është kundër masave shtrënguese të huadhënësve ndaj Greqisë
Alexis Tsipras do të jetë kryeministri i ri i Greqisë. Ai pritet që të bëjë betimin sot si kryeministër, më i riu në moshë edhe ndër të gjithë kryeministrat grekë. Kreu i radikalëve të majtë, ka mbajtur mbrëmë fjalimin e fitores ku ka ripërsëritur premtimet e dhëna gjatë fushatës, se do t’i japë fund kursimit e varfërisë dhe do të ringrejë dinjitetin e grekëve. Për Tsipras fitorja e Syriza-së nuk do të sjellë konflikte të reja në Europë por është një mundësi e re për të reformuar edhe vetë Europën, duke i bërë më solidare marrëdheniet brenda saj.
Partia e majtë Syriza shkaktoi një tërmet të vërtetë në Kancelaritë Europiane me fitoren e saj në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj të diele në Greqi. Syriza është kundër masave shtrënguese të huadhënësve ndaj Greqisë.
Kreu i Syrizas, Tsipras ka nisur menjëherë bisedimet për krijimin e qeverisë së re, pasi për të marrë votëbesimin në Parlamentin grek 300 vendësh, i duhen edhe dy vota. Ai do të takohet sot me kreun e Grekëve të Pavarur të ANEL, Panos Kamenos. ANEL ka marrë 4.75% të votave duke siguruar 13 vende në Parlamentin grek. Nëse Cipras dhe Kamenos do të arrinin një marrëveshje, mazhoranca e re do të kishte 162 deputetë.
Ndërkohë procesi i numërimit të votave në Greqi është drejt fundit. Kanë ngelur vetëm 0.02% e votave të grekëve për t’u numëruar dhe nuk pritet të ketë ndryshime domethënëse në rezultat dhe në vendet parlamentare që kanë marrë partitë greke.
Rezultatet zyrtare të 99,81% të votave të numëruara deri më tani
SYRIZA 36,34% të votave – 149 vende në Kuvend
Demokracia e Re 27,81% të votave – 76 vende në Kuvend
Agimi i Artë 6,28 të votave – 17 vende në Kuvend
Potami 6,05 % të votave – 17 vende në Kuvend
ANEL 4.75 % të votave – 13 vende në Kuvend
PASOK 4,75 % të votave – 13 vende në Kuvend
Lëvizja e Socialistëve Demokratë 2.44 % të votave – Asnjë vend në Kuvend