Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Zgjedhje të përçmuara me “mjeshtra” të vjetër

Shkruar nga Newsbomb
Zgjedhje të përçmuara me “mjeshtra” të

Nga ALEKSANDËR ÇIPA

Sidoqoftë skema e vjetër rikonfirmohet(!) Sali Berisha dhe Ilir Meta do të jenë përballë Edi Ramës edhe pse s’është e nevojshme të ndodhë kjo, për shkak se jemi në zgjedhje vendore.

Paradokset e tyre në skenën politike të 32 viteve vijojnë të riprodhohen. Janë të njëjtat që njohim dhe ndiejmë sa herë gjendemi para zgjedhjeve. Dikur elektrizohej atmosfera dhe shumëfishohej kapaciteti i fjalëve konfliktuale, gjasme për kodet apo ligjin zgjedhor.

Më herët, ndizej lufta e frikshme e akuzave dhe kërcënimeve për ndonjë anëtar të KQZ... Ndërsa tashmë, nuk kemi kësi arsyesh, por një situatë edhe më paradoksale dhe një skemë edhe më brendiprishëse të një procesi që ka lidhje me qeverisjen vendore dhe qeverisësit e rinj të bashkive.

Por konkurenca dhe ballafaqimi konkurues i kandidatëve të tyre, janë të parëndësishme përballë hallit vetiak që kanë udhëheqësit e statusquosë. Opozitarët si politikanë të vjetër, në mënyrën më të vjetër dhe me një taktikë të vjetër sa vjetërsia e tranzicionit tonë, po sajojnë një koalicion.

Shpallin e regjistrojnë një koalicion jo për fitore e për shërbim ndaj qytetarëve që duan ndryshim, por për hall të situatës dhe interesit për veten. Sali Berisha në pozitën e vet ekzistenciale politike, i mbetur pa vulë dhe firmë kryetari partie, është strehuar nga halli në një koalicion me shumë mospërputhje dhe me fare pak avantazhe. Është strehuar duke mos garantuar dhe duke tradjëtuar, interesimin për ndonjë rezultat fitoreje.

I vetmi fitues “si për vete”, duket në këtë koalicion, Ilir Meta me partinë e tij të ripagëzuar PL.

Ndërkohë që streha groteske e zotit Berisha në koalicionin me PDK dhe PBDNj, më shumë ka shtuar brengën e fansave të tij dhe fanatikëve pranë, për shkak se bëhet edhe më prezente gjendja e katandisjes së “ kokoshit një thelë”.

Në këtë moment politik, ngrehina më e rëndësishme e opozitarizmit partiak shqiptar është bjerur në gjendjen e disa dhomëzave pa funksione lidhëse me njera- tjetrën. Nga kjo arkitekturë e zhbërë partiake pritet të realizohet procesi problematik i zgjedhjeve administrative të 14 majit në vend.

Shqipëria ka mbërritur sipas kësaj tabloje në zgripin e zhvlerësimit të plotë të demokracisë përmes përfaqësimit partiak. Duket se bipartitizmi tradicional i tri dekadave të fundit ka pësuar çarje të thellë tektonike, madje të pariparueshme sipas të gjitha premisave. Paskëtaj, socialistët e kryeministrit Rama po ecin drejt 14 majit ku i pret një fitore e përcaktuar dhe e pameritueshme për më tej.

Por prijësi i tyre mesa duket e njeh fort mirë përcaktimin filozofik se: “Fati vjen siç do fati dhe zgjat sa do ai”. Me fitoren e pashmangshme të mesmajit që vjen, Edi Rama ka mundësinë të shohë se sa shumë ia ka ngrënë “mola” imazhin, dhe kostumin qeverisës të kësaj dekade. Dhe natyrisht sa të pamundur e paska pasur për ta kapërcyer historinë e zgjedhjeve të përçmuara që rishtazi i realizon, bashkë me mjeshtrat e vjetër.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese