Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje sërish opozitës që të propozojë emrat për kandidatët për President.
Ai u shpreh nga Fieri se opozita duhet të mos e djegë raundin e dytë për zgjedhje e kreut të ri të shtetit, teksa shtoi se orët në vijim duhet të përdoren me përgjegjësi për t’u respektuar marrëveshja mes dy palëve.
“Konstatoj me keqardhje që nga opozita nuk ka një qasje për të marrë përgjegjësi për të propozuar zyrtarisht kandidatura. Nuk e di përse PD, grupi i aj parlamentar, u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura, orët në vijim në mbyllje të këtij afati duhet të përdoren me përgjegjësi. Do ishte joproduktive të digjnim raundin e dytë, megjithatë ne e respektojmë marrëveshjen me grupin parlamentar të PD dhe dy grupet e tjera, që dy raundet e para u takojnë propozimeve të opozitës, por nëse dhe në raundin e tretë nuk do të hyjë në proces, natyrshëm një gjë është e sigurt, në raundin e katërt do të zgjidhet me kandidatë të propozuar prej nesh Presidenti apo Presidentja e re e Republikës”, tha Balla.