
Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar se personi apo shqiptari ndaj të cilit flitet prej një jave se është bërë atentat në Dubai, është ish-anëtari i ish-Bandës së Durrësit, shtetasi Indrit (Endrit) Dokle. Ky i fundit ka qenë eksponent i njohur i botës së krimit dhe sot është qytetar i lirë.
I ftuar në emisonin "Të paekspozuarit", gazetari i njohur i kronikës ka thënë se ka folur vetë me Indrit (Endrit) Doklen dhe ai ndodhet në Shqipëri, duke rrëzuar kështu aludimet se atij i është bërë atentat apo është vrarë në Dubai.
"Fillimisht u tha se është goditur një biznesmen, pastaj u aludua se një personazh shumë i rëndësishëm është i plagosur dhe gjendje kome dhe ka vdekur. Në fakt unë me personin kam folur dhe është në Shqipëri.
Kanë patur të drejtë që janë shqetësuar në Dubai. Bëhej fjalë për Indrit Doklen. Nuk është sot as i dënuar dhe as në kërkim. Është qytetar i lirë. Me sa di unë ka patur një gëzim familjar, festonte ditëlindjen e babait.
Pastaj u tha se i është bërë atentat një personi tjetër. Në Dubai është shumë e vështirë të bësh vepra kriminale, sepse të pret dënimi. Të kryesh krim është futja vetes, ke dënim kapital. Aq më tepër të sulmosh me thika, etj. Ky është qytetar i lirë. Edhe unë nuk e dija që kishte mbyllur edhe shërbimin e provës", është shprehur gazetari Artan Hoxha.
Zërat për atentatin me thikë ndaj një shtetasi shqiptar në Dubai kanë dalë fillimisht nga personazhe të njohur në rrjetin social "Tik Tok" dhe më pas janë amplifikuar nga media të caktuara online, por siç u shpreh gazetari këtë të enjte, të gjitha kanë qenë thjesht aludime dhe Indrit (Endrit) Dokle ndodhet në Shqipëri dhe gëzon shëndet të plotë.