Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se një paketë e shtatë e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, është e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur 27 liderët e BE-së po takohen këtë të enjte për të marrë një vendim përfundimtar mbi dhënien zyrtarisht të statusit të kandidatit Ukrainës.
“Unë do të bëj çmos për të siguruar që vendimi historik i Bashkimit Evropian të miratohet. Kjo është e rëndësishme për ne”, tha Zelensky.
Ai foli gjithashtu për “politikën anti-evropiane” të Rusisë dhe përgjigjen e Moskës ndaj Lituanisë që bllokoi mallrat e sanksionuara nga Evropa, në enklavën evropiane të Rusisë në Kaliningrad.
“Rusia duhet të ndjejë një rritje të vazhdueshme të presionit për luftën dhe për politikën e saj agresive anti-evropiane”, shtoi Zelensky.