Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo ka dalë në një deklaratë për mediat dhe opinionin publik, në një kohë kur janë numëruar pak më pak se gjysma e të gjitha qendrave të votimit në rang vendi.
Garo i kërkon qytetarëve që të bëjnë durim e të presin, pasi kutitë e para që janë hapur janë me votat e PS, ndërsa në vijim ajo u shpreh se do jetë e qartë fitorja e thellë e PD-së.
“Në fund të numërimit të gjithë qytetarët e Shqipërisë do të shohin sa e madhe është fitorja jonë”, tha Garo për mediat.
DEKLARATË E PD, ZËDHËNËSJA E FUSHATËS, FLORIANA GARO
Numërimi faktik i votave do të ketë vetëm një rezultat: fitore për Aleancën për Ndryshim.
Edhe tani, me numërimin e qendrave të votimit që janë qendra kryesore të votimit për PS-në, ne shohim se Aleanca për Ndryshim po sjell rritje të jashtëzakonshme.
Prandaj, kini durim! Çdo votë do të numërohet. Çdo zë do të dëgjohet. Ne do të bëjmë gjithçka për të ruajtur pastërtinë e zgjedhjeve.
Ne jemi absolutisht të sigurtë se në fund të numërimit të gjithë qytetarët e Shqipërisë do të shohin sa e madhe është fitorja jonë.
Qytetarët e Shqipërisë e duan ndryshimin. Qytetarët e Shqipërisë kanë zgjedhur ndryshimin. Ne do të fitojmë qartësisht.