
Gazetari Artan Hoxha ka dhënë të tjera detaje lidhur me përgjimet e grupit kriminal, ku janë përfshirë policë e ish-policë, mes tyre dhe ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i cili ka rënë në prangat e policisë. Ditën e djeshme Hoxha tha se një person me nofkën “Toto Rina” ka komunikuar me grupin e ekzekutorëve dhe me ish-pjesëtarin e Forcave Speciale, Bujar Gërmizin, ku ky i fundit ka bërë lidhjen midis personave që kanë bërë porosinë dhe ekzekutorëve.
Ndërkohë, mbrëmjen e sotme i ftuar në emisionin “Të paekspozuarit”, gazetari ka zbuluar për herë të parë se personi me nofkën "Toto Rina" në SKY, është Nuredin Dumani.
Hoxha tha se Dumani nuk ia ka treguar nofkën e tij SPAK-ut edhe pse është bashkëpunëtor i drejtësisë, ndaj pritet të merret në pyetje sërish.
"Bujar Gërmizi kishte kontakte në Shqipëri. Organizimin e atentatit ndaj dy vëllezërve që jetojnë në Londër, e ka marrë përsipër ky. Ka kërkuar informacion nëpërmjet Policisë së Shtetit. Ku implikohet policia? Mes tyre hyn shefi i krimeve i komisariatit 6, që ka dhënë informacion për lëvizjet e këtyre shtetasve, imazhin e tyre, ku ndodhen, etj.
LEXO EDHE: Kush është “Toto Rina”? Hoxha: SPAK e ka zbërthyer, lidhja e tij me Gërmizin
Në dosje nuk thuhet kush janë vrasësit. Më rezulton një personazh që komunikon me Bujar Gërmizin dhe përdor nofkën “Toto Rina”. Ai është komandanti i skuandrës së pushkatimit. Ai komunikon me Gërmizin, që e ka nofkën “Galan”, si kandidati për President që vranë në Kolumbi. Në bisedat mes tyre kuptohet që po organizohet atentati.
Kanë bërë edhe atentat ndaj pronarit të Ëilson, rezulton që e kanë mërrë këta përsipër, por është për llogari të një grupi në Dubai.
Kush është Toto Rina? Më rezulton se është Nuredin Dumani. Nuredin Dumani ka përdorur dy aparate të SKY, nofkën Toto Rina. Ai nuk e ka thënë këtë gjë deri tani edhe pse është bashkëpunëtor i drejtësisë. Ai ka treguar vrasje, por ka edhe gjëra që nuk ka thënë.
Toto Rina, ka qenë nofka e Dumanit dhe atentatin do ta kryente skuadra e Nuredin Dumanit", tha Hoxha.