
Një 23 vjeçar ka rënë në prangat e Policisë, pasi në shtëpinë e tij janë zbuluar dy ambiente të përshtatura për kultivimin e drogës. Sipas bluve Vladimir Sallaku ka rënë në prangat e policisë, ndërkohë gjatë ndërhyrjes, është sekuestruar një sasi prej 58.5 kg hashash në proces tharje dhe municion luftarak.
"Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrolleve të përbashkëta me OSHEE-në, Krujë, si dhe bazuar në inteligjencë informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Fokusi", si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:
- V. S., 23 vjeç, banues në Derven, Krujë, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit" dhe "Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike".
Në banesën e 23-vjeçarit, shërbimet e Policisë konstatuan 2 ambiente (dhomë dhe magazinë), të përshtatura për përpunimin, tharjen dhe përgatitjen për shitje të lëndës narkotike kanabis. Gjatë kontrolleve të imtësishme në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan në total, 58.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe gjatë verifikimeve, në bashkëpunim me punonjësit e OSHEE-së, u konstatua se këto ambiente furnizoheshin me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme.
Në vijim të operacionit, u ushtrua kontroll dhe në ambiente të tjera të kësaj banese dhe u gjet e u sekuestrua edhe municion luftarak. Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të shtetasit V. S. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme", njofton Policia e Durrësit.