Hetimet për terrorizmin në Itali, kanë zbuluar një rrjet të rrezikshëm celulash ekstremiste me bazë shqiptarësh nga Kosova dhe Shqipëria, që dërgonin luftëtarë në Siri dhe Irak, për llogari të ISIS dhe frontit Al Nusra.
Italia, Greqia, më pas Turqia dhe kalimi illegal drejt Sirisë janë itinerary që përshkonin militantët e kontaktuar nga grupi salafist shqiptar, që sipas hetuesve ka bazë në Romë, Siena, Lucca dhe Milano.
Në veçanti sipas mediave italiane, celula terroriste më aktive është ajo në lagjen Centocelle në Romë. Personat nën hetim, shumica shqiptarë, kanë tërhequr vëmendjen pasi pasi kanë “përqafuar” ekstremet e Islamit dhe ftojnë luftëtarë të huaj që të luftojnë në Siri. Grupi shqiptar kishte si detyrë anën logjistike.
E thënë ndryshe, ata siguronin pasaporta, dokumente false ose të vjedhur për të kaluar militantët transit në Ballkan drejt Lindjes së Mesme. Sipas analizës së Cosmonitor.com, 150 kosovarë janë aktiv në Ballkan në rekrutimin e ekstremistëve.
Nga hetimet është zbuluar se Genci Balla dhe Bujar Hysa, dy imamë të vetëshpallur, ishin personazhet kryesore, dy emra të arrestuar kohë më parë. Gjithashtu bie në sy figura e Ebu Usejd, një luftëtar me emër të ndryshuar nga Elbasani, që financonte terroristët.
Sipas mediave, falë rekrutimeve të shqiptarëve të Italisë, nga Apeninet janë nisur 59 luftëtarë kohët e fundit për të luftuar në Siri, në krah të ekstremistëve të Abu Bakr al-Baghdadi.