Zbardhen identitetet e të plagosurve të sotëm në qytetin e Elbasanit, ku fatkeqësisht pati dhe një viktimë i identifikuar si Pjerin Xhuvani, Drejtor i Fondit të Detyrueshëm Shëndetësor. Janë plagosur Emiljano Prenga 39 vjeç, Pavlo Vuksani 50 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç dhe Xhensila Sota 27 vjeçe ( punonjëse e policisë).

Në shkurt të 2013 Pavlo Vuskanit i kanë vendosur eksploziv në makinë, në kohën kur i përkiste policisë kriminale. Artan Koçeku dhe dy vëllezërit Nikolin dhe Marjan Thani janë identifikuar nga Policia si autorë të shpërthimit. Ngjarja ndodhi më 19 shkurt para shtëpisë së Vuksanit, në lagjen “Skënderbeg”, në qytetin e Shkodrës.

Amiljano Prenga ka qenë polic i Operacionales në Drejtorinë e Tiranës dhe ka qenë i përfshirë në prishje të pazareve të drogës me persona të tjerë. Në nëntor të 2016 ishte shërbimi i kontrollit të brendshëm në polici dhe Prokuroria që zbuluan skemën e trafikut. Nga hetimet rezultoi se kanabisi sigurohej në Malësinë e Krujës dhe magazinohej në Durrës për t’u trafikuar më pas drejt Italisë, ndaj policit janë ngritur 3 akuza shpërdorim detyre, gjobvënie dhe trafik droge. Nga ky pazar i prishur rezultoi se fillimisht palët kishin rënë dakord për 50 kg me çmimin 550 euro kg dhe si përfundim personi i kontaktit në Durrës me iniciale A.N kish pranuar vetëm 20 kg pasi cilësia tjetër ishte e dobët. Emiljano Prenga nga hetimet është përfshirë dhe në dhunimin e një shoferi kamioni i cili kish marrë përsipër të dërgonte drogën në Bari, por nuk e ka realizuar këtë transport.
Nga ana tjetër, emri i Eltjon Bodinakut (dhëndërr i Pjerin Xhuvani) është përmendur në 2018 nga biznesmeni Andrea Zoga, si një nga gjashtë personat që e dhunuan atë për një punë borxhi 10 mijë euro.