Organizata “Protection and Preservation of Natural Environment in Albania”, nëpërmjet një postimi në Facebook njofton se gjatë ekspeditave në terren ekipi i tyre ka gjetur një territor të shqiponjës së malit me 10 fole të ndërkëmbyeshme.
“Të gjitha foletë janë ndërtuar në faqen e një shkëmbi dhe japin ndjesinë e një “pallati të madh me 10 apartamente”, që në vite të ndryshme përdoren nga i njëjti çift. Nga këshillimi me disa kolegë Ballkanas por edhe i literaturës ekzistuese, rezulton se ky territor (i ndodhur në jug-lindje të vendit), përfaqëson vendfolezimin me numër më të madh të foleve rezervë për shqiponjën e malit në Ballkan”, konstaton kjo organizatë.
Ndërkohë, vlen të theksohet se është i njohur fakti se shqiponja e malit ndërton fole rezervë për disa arsye, por një numër kaq i madh folesh në një bllok të vetëm shkëmbor nuk është i zakonshëm.