Tirana
clear sky
9.5 ° C
9.5 °
9.5 °
81 %
2.1kmh
0 %
Mar
23 °
Mër
23 °
Enj
23 °
Pre
26 °
Sht
24 °
E martë, 4 Tetor, 2022

Zbardhet vendimi i vettingut: Prokurori Arjan Ndoja i lidhur me persona të botës së krimit! Janë vërtetuar dhe kontakte me politikanë

spot_img

Lajme të ngjashëm

Prokurori i Durrësit Arjan Ndoja u shkarkua nga detyra më 6 maj 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konstatoi një sërë problemesh gjatë hetimit në kriterin e figurës dhe profesionalizmit, që u konsideruan se kishin cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, u vërtetuan kontakte të subjektit me persona të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, një pjesë e të cilëve janë verifikuar ose hetuar nga Prokuroria e Durrësit. Po ashtu, janë vërtetuar kontakte me politikanë apo njerëz të pushtetit ekzekutiv e gjyqësor; se ka trajtuar dy çështje penale në kushtet e konfliktit të interesit; se ka cënuar etikën gjatë komunikimit me drejtuesen e prokurorisë ku ushtronte detyrën; si dhe ka disponuar të dhëna dhe dokumente që lidhen me çështje penale që nuk ndiqen drejtëpërdrejtë prej tij.

Komisioni shprehet se prej hetimit administrativ nuk mund arrihet në përfundimin se subjekti i rivlerësimit është i paaftë profesionalisht, por konstatimet në të dy kriteret janë çmuar të mjaftueshme për shkarkimin e tij.

Arian Ndoja përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe punoi fillimisht si prokuror në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2004, Ndoja u shkarkua nga detyra dhe punoi si avokat deri në vitin 2008, kur u rikthye në sistem pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Ndoja u sulmua në një atentat në nëntor të vitit 2019, kur ai dhe një person i identifikuar si Aleksandër Laho u plagosën, ndërsa shoferi Andi Maloku mbeti i vrarë. Disa persona janë të akuzuar për atentatin, por çështja është ende në proces.

Problemet për figurën

Raporti i parë i DSIK për prokurorin Ndoja ka qenë pozitiv, ndërsa pas kërkesës së Komisionit për përditësimin e informacionit, u ndryshua në papërshtatshmëri. Sipas DSIK, ndaj shtetasit Aleksandër Laho me të cilin subjekti ka kontakte, administrohen të dhëna që ngrenë dyshime të arsyeshme për përfshirje në krimin e organizuar.

Ndoja e ka cilësuar të pabazuar raportin e dytë të DSIK-së, si në aspektin procedural ashtu edhe në përmbajtje. Në mbrojtjen e tij, subjekti ka përdorur edhe vendimet e Gjykatës së Lartë; të Gjykatës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut; si dhe vendimeve të KPK-së apo të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për raste të ngjashme sipas tij, kur subjektet e rivlerësimit nuk janë ngarkuar me përgjegjësi.

I pyetur gjatë procesit për marrëdhënien me Aleksandër Lahon dhe identitetet e tjerë që ky shtetas disponon, Ndoja ka deklaruar se në dijeninë e tij është i njëjti person dhe se ka marrëdhënie shoqërore që zënë fill nga periudha e ushtrimit të aktivitetit të avokatisë, për shkak të konsulencës ligjore që i ka dhënë.

Komisioni ka siguruar të dhëna se Laho në vitin 2011 dhe 2012 është proceduar penalisht në gjendje të lirë për shkak të një aksidenti rrugor. Pas administrimit të dosjeve nga Prokuroria e Durrësit, ka rezultuar se ky shtetas është proceduar për veprat penale “shkatërrim i pronës”, “kanosje”, si dhe “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, për të cilat është vendosur në të dyja rastet mosfillimi i procedimit penal nga dy prokurorë të tjerë.

I pyetur për kontaktet me persona të tjerë të proceduar penalisht, Ndoja ka sjellë në vëmendje të Komisionit se legjislacioni për vetingun u referohet veprave penale që kanë lidhje me krimin e organizuar. Ai ka shtuar se nga hetimi administrativ është provuar se ndaj këtyre shtetasve nuk ka asnjë procedim të tillë.

Në përfundim, KPK konstaton se është vërtetuar se prokurori Ndoja ka pasur kontakte me Aleksandër Lahon, për të cilin ka të dhëna konfidenciale për përfshirje në veprimtari të krimit të organizuar jashtë teritorit të Republikës së Shqipërisë.

Por, Komisioni sjell në vëmendje mungesën e të dhënave të plota, nëse Laho është proceduar apo dënuar për krim të organizuar, ashtu si përcaktohet në ligjin për vetingun e magjistratëve lidhur me kontaktet e papërshtatshme.

“Komisioni nuk mund të arrijë në konkluzionin, nëse ky shtetas i përmbush kriteret ligjore për t’u konsideruar person i përfshirë në krimin e organizuar. Në këto kushte, nuk mund të konkludohet se subjekti ka kontakte të papërshtatshme me këtë shtetas, dhe, për rrjedhojë, nuk mund arrihet në konkluzionin se ka plotësuar në mënyre të pasaktë formularin e deklarimit të figurës,” çmon trupa e KPK-së.

Po ashtu, edhe në lidhje me të dhënat për kontaktet me persona të tjerë me precedentë penalë, nuk është vërtetuar që ata të jenë përfshirë në krimin e organizuar dhe për rrjedhojë trupa e KPK shprehet se nuk mund të vlerësojë nëse Ndoja mund të vihet nën presion nga struktura kriminale.

Pavarësisht këtyre konkluzioneve, Komisioni arrin në përfundimin se Ndoja ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë, pasi nuk ka bërë asnjë përpjekje dhe nuk ka paraqitur asnjë provë për të kundërshtuar informacionet se për shtetasin A.L. ka të dhëna se ka qenë i përfshirë ë krimin e organizuar jashtë Shqipërisë.

Në vijim, KPK konstaton se Ndoja ka qenë i shoqëruar në një seancë nga shtetasi M.V., për të cilin janë trajtuar disa çështje në prokurorinë e Durrësit, ku pjesa më e madhe nuk janë filluar ose janë pushuar, ndërsa në një rast është dënuar në shkallën e parë për “plagosje të lehtë me dashje”. Kur ka përfunduar seanca, shtetasi M.V. që shoqëronte subjektin, ka kërcënuar dhe goditur një avokat.

Në përfundim të hetimit të figurës, KPK vlerëson se subjekti duhej të kishte shmangur kontaktet me disa persona për të cilët ka ofruar më parë shërbime avokatie dhe çmon se ai gjendet në kushtet e cënimit të besimit tek drejtësia, që është një prej rasteve të dhënies së masës disiplinore të shkarkimit nga detyra.

Profesionalizmi

Ashtu si në vlerësimin e figurës, edhe gjatë hetimit administrativ për profesionalizmin nuk janë gjetur probleme penalizuese në këtë kriter, por kontakte dhe sjellje që janë konsideruar në cënim të etikës dhe besimit të publikut tek drejtësia.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka dorëzuar raport pozitiv për Ndojën, ndërkohë që nga të dhënat arkivore është konstatuar se në vitin 2004 ai është shkarkuar nga detyra dhe është rikthyer në vitin 2008 si drejtues, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Në vitin 2008, Ndoja është pezulluar sërish nga detyra për shkak të një procedimi penal në ngarkim të tij dhe pas pushimit të kësaj çështje, është rikthyer në sistemin e drejtësisë.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se ai ka kryer veprime hetimore në një çështje penale në janar të vitit 2009, kur ka qenë ende i pezulluar nga detyra. I pyetur nga KPK për këtë situatë, subjekti ka pretenduar se pezullimi ka qenë për funksionin e tij si drejtues dhe jo si prokuror.

KPK vëren se në legjislacion nuk parashikohet ndarje mes akteve “pezullim nga detyra si drejtues” dhe “pezullim nga detyra si prokuror” dhe konkludon se Ndoja ka vepruar në kundërshtim me ligjin teksa ka kryer hetime ndërsa ishte i pezulluar.

Në vendim thuhet se subjekti ka trajtuar për një muaj një çështje penale në ngarkim të shtetasit E.Sh. me të cilin ka pasur njohje, duke u gjendur në kushte njëanshmërie me të kallëzuarin. Po ashtu, ka trajtuar edhe një çështje penale në ngarkim të vajzës së shtetasit E.Sh..

“Subjekti ka shkelur etikën e prokurorit pasi ka trajtuar në kushtet e konfliktit të interesit një çështje penale në ngarkim të shtetasit E. Sh./Sh. dhe një çështje penale në ngarkim të vajzës e tij Z. Sh., për shkak të ekzistencës së shkaqeve të njëanshmërisë,” vëren KPK.

Komisioni konstaton cënim të etikës së magjistratit dhe besimit të publikut gjatë një komunikimi të Ndojës me drejtuesen e prokurorisë, lidhur me një udhëzim të sajin për një çështje që hetohej nga subjekti.

Drejtuesja ka konstatuar se nuk janë kryer disa veprime lidhur me një çështje të regjistruar për “shpërdorim detyre” dhe ka sugjeruar të regjistrohet emri i drejtorit të Kadastrës së Durrësit dhe të kryhen veprime të tjera procedurale e hetimore. Në fund, drejtuesja e prokurorisë ka sqaruar se udhëzimi nuk është i detyrueshëm për prokurorin e çështjes, si dhe ka shënuar procedurat që ndiqen në rast të kundërshtimit.

Sipas KPK, në fund të këtij udhëzimi janë shkruar disa fraza me shkrim dore nga prokurori Arian Ndoja, si dhe është nënshkruar prej tij. “Respekto ligjin. Thjesht nënshkruaj shkresën. Punën time e vlerëson gjykata, jo ju. Po të paralajmëroj se do të të bëj kallëzim penal apo sepse po shkel ligjin. Arian Ndoja. Datë 30.9.2019’, citohet në vendimin e KPK lidhur me nënshkrimin e Ndojës.

“Subjekti legjitimohej plotësisht të mbante qëndrimin e tij të pavarur nga ai i drejtueses së prokurorisë, duke mos marrë në konsideratë këtë udhëzim, si dhe kishte të drejtën të kërkonte shpjegime të mëtejshme, por nuk legjitimohej në sjelljen e tij urdhëruese e kërcënuese ndaj saj,” vëren KPK dhe konkludon se subjekti ka treguar sjellje jo korrekte dhe mungesë respekti ndaj funksionit që drejtuesi përfaqëson, duke cënuar etikën dhe besimin e publikut.

Ndoja është pyetur për disa të dhëna të publikuara në medie, ku referohet se në makinën me të cilën po udhëtonte kur u krye atentati në nëntor të vitit 2019, janë gjetur disa dosje të Prokurorisë së Durrësit.

Bazuar në informacionin e marrë prej Prokurorisë së Posaçme nga vëzhguesi ndërkombëtar është konstatuar se subjekti ka pasur kontakte telefonike ose në aplikacionin ËhatsApp me drejtues e politikanë vendorë, magjistratë dhe persona të tjerë nën hetim nga prokuroria.

Sipas KPK, mes atyre që Ndoja ka pasur komunikim ka qenë edhe ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili e ka mbajtur këtë pozicion deri më 2 gusht të vitt 2019, pas deklarimit si person “non grata” nga Departamenti i Shtetit.

Po ashtu, ka rezultuar se ka pasur komunikime edhe me dy kryetarë bashkie të tjerë; një kryetar Këshilli Qarku; me një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve; me bashkëshortin e një gjyqtareje që kanë qenë të dy nën hetim nga SPAK; si dhe persona të tjerë të hetuar nga Prokuroria e Durrësit dhe SPAK për vepra penale të lidhura me korrupsionin.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme ka rezultuar se Ndoja kishte pasur informacione dhe kopje të dokumenteve që lidhen me hetime çështjesh, disa prej të cilave nuk ndiqeshin prej tij.

Mes të tjerash është gjendur dhe një video e muajit qershor 2019, e tentativës për vrasjen e shtetasit P. D. dhe bashkëpunëtorëve të tij, që akutalisht janë nën hetim nga SPAK për atentatin ndaj Ndojës dhe janë akuzuar prej tij si urdhërues të sulmit.

Në përfundim të hetimit administrativ, bazuar në faktet e konstatuara dhe në opinionin e vëzhguesit ndërkombëtar, Komisioni vlerëson se subjekti me veprimet e tij ka cënuar etikën e prokurorit, duke cënuar rëndë besimin e publikut.

“Komisioni nuk mund të arrijë në përfundimin se subjekti i rivlerësimit është i paaftë profesionalisht, por bazuar në të gjitha faktet dhe rrethanat arsyetuar hollësisht në këtë vendim, Komisioni vlerësoi se subjekti ka cenuar etikën e prokurorit, duke cenuar besimin e publikut te figura e tij si pjesë e sistemit të drejtësisë,” e përmbyll arsyetimin trupa e KPK-së. /Birn

Më shumë


spot_img
spot_img

spot_img