Tirana
clear sky
32.5 ° C
32.5 °
32.5 °
31 %
4.1kmh
0 %
Die
31 °
Hën
37 °
Mar
40 °
Mër
42 °
Enj
42 °
E diel, 25 Korrik, 2021

Zbardhet vendimi i vettingut: Gjyqtari i Elbasanit Tomorr Kullolli dështoi të provonte burimet e pasurisë, ishte aksioner në dy kompani, fitoi tendera nga shteti

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 9 qershor 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Tomorr Kullolli, pasi u gjetën mungesa financiare në vlera të mëdha në krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve gjatë viteve.

Në vendimin e zbardhur, KPK arsyeton se gjyqtari i Elbasanit, Tomorr Kullolli nuk arriti të provojë ligjshmërinë e të ardhurave nga dy shoqëri ku ishte aksioner, si dhe u konstatua gjendja në konflikt interesi me detyrën e tij në këto marrdhënie financiare.

Gjithashtu, konstatohet gjendja në kushtet e konfliktit të interesit, pasi gjatë ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, Kullolli ka qenë zotërues aktiv i aksioneve në dy shoqëri. Edhe pse vitet e fundit, subjekti kishte caktuar një përfaqësues dhe vetë ishte aksioner pasiv, Komisioni arsyeton se njëra prej shoqërive ishte përfituese e tenderave publikë.

Në vendimin e arsyetuar, trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Xhensila Pinen, vlerësojnë se Kullolli ka mbajtur një qëndrim pjesërisht bashkëpunues me Komisionin, duke dhënë përgjigje jo të plota dhe nuk ka paraqitur në afatet e caktuara, as shpjegime dhe as dokumentacion ligjor mbështetës në lidhje me burimet financiare të pasurive të tij.

Tomorr Kullolli e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Elbasan. Në vitin 2019, Policia e Shtetit e denoncoi publikisht Kullollin për vendimin e pushimit të çështjes penale dhe të lirimit nga burgu të Florenc Çapjes, një person me precedentë penalë që akuzohej nga Prokuroria për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Trupi gjykues thekson se subjekti i rivlerësimit, përpos shpjegimeve jo bindëse dhe pretendimeve që mbeten në nivel deklarativ, ka dështuar të provojë burimin e ligjshëm të pasurive që zotëron.

Veç pagave, gjyqtari Kullolli ka deklaruar si burime për krijimin e pasurive edhe të ardhurat e përfituara nga ndarja e dividentit dhe shitja e aksioneve nga shoqëritë ku ishte aksioner; dhurimin e shumës 9.3 milionë lekë nga babai si dhe disa hua.

Megjithëse subjekti ka përfituar në vitin 2000 të ardhura në shumën 1 milion e 721 mijë lekë nga ndarja e dividentit të shoqërisë ku ishte aksioner – Komisioni konstaton se ai nuk ka deklaruar ndonjë gjendje të disponuar cash në banesë apo likuiditete të tjera, që të mund të kishin shërbyer si burim për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 67.4 m2 në Elbasan në vitin 2004, për çmimin 1 milion e 950 mijë lekë, ashtu si ai ka pretenduar.

KPK evidenton se Kullolli ka dështuar të provojë edhe burimin financiar që ka shërbyer për blerjen e aksioneve në dy shoqëritë në vitin 1996.  Sipas trupit gjykues, ai nuk ka arritur të vërtetojë sasinë valutore të letrave me vlerë për të cilat ka pretenduar se janë poseduar fillimisht nga gjyshi, babai dhe xhaxhai i tij, që i kishin përfituar si të persekutuar politikë.

“[…]edhe nëse do të konsiderohej i mirëqenë burimi i ligjshëm i blerjes së aksioneve në fjalë, sërish do të gjendeshim përballë mungesës së provës mbi zotërimin faktik dhe mbi ligjshmërinë e burimeve financiare të përfituara nga dividendët e shoqërive aksionare të lartpërmendura, pasi nuk është deklaruar kursimi në gjendje cash dhe as nuk është provuar pagesa e tatimit mbi shumat e përfituara nga dividendët,” vëren trupi gjykues.

Trupi gjykues konstaton se nuk është provuar edhe pretendimi tjetër i subjektit se këto tatime janë paguar nga vetë shoqëritë që kanë gjeneruar dividend.

Për rrjedhojë, KPK ka analizuar mundësinë e kursimit të Kullollit dhe të bashkëshortes së tij, duke filluar nga janari i vitit 2004 dhe deri në datën e kryerjes së transaksionit në muajin shtator, prej nga ka rezultuar mungesë e burimeve të ligjshme për blerjen e apartamentit në masën 1 milion e 572 mijë lekë.

Situatë e ngjashme është konstatuar edhe për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 134 m2 në Tiranë në vitin 2014, kundrejt çmimit 69 mijë e 371 euro.

Duke filluar nga viti 2008, Kullolli ka deklaruar çdo vit të ardhura nga dhënia me qira e apartamentit në Elbasan, të kthyer në ambient shërbimi. Në deklaratën veting ai ka shënuar të ardhura në total në shumën 4,8 milionë lekë nga qiradhënia e kësaj prone, por në vendim thuhet se, bazuar në kontratat e qirasë të disponuara nga Komisioni, janë përllogaritur të ardhura në shumën totale prej 990 mijë lekësh.

Ndërkohë, nga shqyrtimi i deklaratave periodike të dorëzuara nga subjekti, është konstatuar se, duke filluar nga viti 2003 dhe deri në 2013-ën, ai nuk ka deklaruar disponimin në banesë të ndonjë gjendje monetare cash, likuiditete apo kursime që të mund të përdoreshin për blerjen e kësaj pasurie.

Nisur nga moskonsiderimi i të ardhurave të pretenduara prej subjektit, ka rezultuar pamjaftueshmëri në vlerën 7.5 milionë lekë për pagesën e parë në shumën 59 mijë euro të kryer në vitin 2011 për apartamentin në Tiranë.

Pamundësi ka rezultuar edhe për pagesën e këstit të dytë në prill të vitit 2014 në shumën 10,371 euro.

Kullolli ka deklaruar në vitin 2014 shitjen e gjysmës së aksioneve të tij në një shoqëri në shumat përkatësisht 2 milionë 755 mijë lekë dhe 1 milion lekë, por për të njëjtat arsye si ato për vlerën e përfituar nga ndarja e dividentit në vitin 2000, Komisioni nuk i ka konsideruar në analizën financiare.

Po ashtu, trupi gjykues nuk e quan të bazuar pretendimin tjetër të subjektit, se babai i ka dhuruar shumën 9.3 milionë lekë në vitin 2011, pavarësisht se ky transaksion është formalizuar në 2012-ën. Komisioni evidenton se në deklaratën noteriale të lëshuar nga babai i Kullollit mbi dhurimin e shumës prej 9,3 milionë lekësh, konstatohet se ai shprehet qartë të ketë dorëzuar shumën monetare në duart e subjektit pas datës 9 dhjetor 2012, kur janë bashkuar në një banesë.

Kullolli ka sqaruar se babai e ka përfituar vlerën 9.3 milionë lekë nga dhënia me qira e tokave për kullota. Ai është shprehur se, për shkak se babai ka qenë në proces gjyqësor për marrjen e tokave dhe në mungesë të dokumenteve të pronësisë, nuk ka mundur të nënshkruajë kontrata qiraje dhe të paguajë tatimet përkatëse për këto të ardhura.

Pasi Komisioni ka kryer përllogaritjet bazuar në dokumentet që është mundur të administrohen gjatë hetimit, ka konkluduar se babai i subjektit ka qenë në pamundësi financiare në shumën 6.2 milionë lekë për të kursyer vlerën 9.3 milionë lekë.

Komisioni nuk ka konsideruar në analizën financiare edhe të ardhurat nga shitja e tokës së bashkëshortes së subjektit në vitin 2013, pasi nuk është deklaruar apo provuar kursimi i tyre dhe disponimi në gjendje cash deri në vitin 2014, kur është kryer pagesa e dytë.

Në emër të bashkëshortes së Kullollit është blerë një shtëpi me dy kate në Elbasan në vitin 2006, me sipërfaqe ndërtimore 89 m2 dhe truall 255 m2, për çmimin 6.8 milionë lekë. Si burime për blerjen e kësaj pasurie Kullolli ka deklaruar pesë huamarrje; dy nga 2 milionë lekë; dy nga 1 milion lekë dhe një në shumën 5000 euro.

Trupi gjykues vëren se subjekti nuk ka paraqitur dokumentacion për të ardhurat e huadhënësve, duke dështuar të provojë në mënyrë shteruese burimin e ligjshëm të tyre.

Lidhur me pretendimin e Kullollit se, nëse nuk do të konsideroheshin huatë në analizën financiare, atëherë të mos përfshiheshin edhe shpenzimet për kthimin e tyre – komisioni veren se nuk janë ngritur dyshime për fiktivitet në deklarimin e huave, pasi marrja dhe shlyerja e tyre janë pasqyruar ndër vite. “…por është kërkuar të provohet burimi i ligjshëm i shumave të përfituara nga subjekti nëpërmjet huazimeve në fjalë”, konstaton trupi gjykues.

Komisioni ka konkluduar se Kullolli ka qenë në pamundësi financiare edhe për shpenzimet për shkollimin e fëmijëve në vitet 2015 dhe 2016 në Francë dhe në Itali, kur ka deklaruar se ka shpenzuar respektivisht për secilin vit 19,250 euro dhe 25 mijë euro.

Nga analiza financiare është konkluduar se Kullolli dhe bashkëshortja e tij kanë qenë në pamundësi financiare në shumën totale 37.5 milionë lekë për krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve.

Trupi gjykues thekson se edhe nëse do të pranoheshin pretendimet e subjektit për shumat e përfituara nga djali në formën e bursave të studimit, si dhe nëse nuk do të konsideroheshin shpenzimet për kthimet e huave, rezultati i përgjithshëm i analizës financiare do të ndryshonte nga 37,5 milionë lekë minus në 31,3 milionë lekë. /Birn

Më shumë

spot_img
spot_img