
Policia ka reaguar lidhur me ngjarjen të ndodhur ditën e sotme në Fushë Arrëz, ku 19-vjeçari Oltion Mardodaj mbeti i plagosur me thikë. Blutë e Shkodrës bëjnë me dije se autori i kësaj ngjarje është pikërisht i ati i të riut, 55-vjeçari Anton Mardodaj.
Ky shtetas, i cili tashmë ndodhet në prangat e Policisë, ka qëlluar me thikë të birin pas një konflikti të çastit.
LEXO EDHE: Plagoset me thikë 19-vjeçari në Fushë Arrëz (EMRI)
55-vjeçari është shoqëruar në Komisariat, ndërsa Oltion Mardodaj është transportuar drejt spitalit të Pukës për të marrë ndihmën mjekësore. Fatmirësisht i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i plotë:
Fushë Arrëz/Informacion paraprak
Dyshohet se goditi me mjet prerës (thikë), djalin e tij, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, si rezultat i veprimeve të shpejta të Policisë, kapet dhe shoqërohet në Komisariat, shtetasi A. M.
Mesditën e sotme, menjëherë pas marrjes së njoftimit, se në fshatin Fushë Arrëz, ishte dëmtuar me mjet prerës një 19-vjeçar, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Nga veprimet e shpejta të shërbimeve të Policisë është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, shtetasi A. M., rreth 55 vjeç, pasi dyshohet se ka dëmtuar me mjet të mprehtë (thikë), djalin e tij 19 vjeç, i cili është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.