Hapësire reklamuese

Politikë

Zbardhet drafti: Opozita kërkon qeveri teknike 100 ditë përpara zgjedhjeve

Shkruar nga Newsbomb

Partia Demokratike ka paraqitur për herë të parë propozimet e saj për reformën zgjedhore.

Paraditen e sotme, sërish jashtë ambienteve të Kuvendit, u mblodh Këshilli Politik së bashku me ekspertët e ODIHR të cilët dëgjuan propozimet e opozitës jo-parlamentare për administrimin e procesit zgjedhor.

Ndonëse është reformë zgjedhore, propozimet PD-së nuk kishin të bënin me Kodin Zgjedhor por me ligje të tjera.

Opozitarët kërkojnë në letër që 100 ditë përpara datës së zgjedhjeve të krijohet një qeveri teknike ku Ministri i Brendshëm të caktojë edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.

Krahas kësaj, një draft tjetër i demokratëve saktëson kompetencat e Prokurorisë përsa I përket rolit të saj në hetimin e krimeve Zgjedhore.

Drafti në fjalë kërkon që 2 javë pas caktimit të datës së zgjedhjeve, pra rreth 9 muaj përpara ditës së votimit, Prokurori i Përgjithshëm të hartoj një urdhër të veçantë për hetimin e krimeve zgjedhore ku objekt të punës do të ketë edhe verifikimin e kandidatëve në bazë të ligjit të dekriminalizimit.

Propozimi i tretë kërkon që krimet zgjedhore të hetohen nga SPAK dhe të gjykohen nga Gjykata e Posaçme anti-korrupsion.

Por këto propozime të demokratëve duket se nuk u pranuan nga Partia Socialiste. Damian Gjiknuri pasi dëgjoi propozimet e PD doli në një prononcim ku dha edhe qëndrimin e tij.

“Atë që nuk mund të fitosh luftë nuk mund ta marrësh në letër”, u shpreh deputeti socialist.

Pavarësisht kontradiktave, kjo ishte hera e parë që PD paraqet propozimet e saj zyrtare për sa i përket reformës zgjedhore, të cilat do të rishqyrtohen sërish nga këshilli politik.

Krimi elektoral, PD kërkon që hetimet të drejtohen nga SPAK

Partia Demokratike ka propozuar një paketë të gjerë të ndryshimeve ligjore për luftën ndaj krimeve zgjedhore. Në këto ndryshime, kërkohet që të jetë Struktura e Posaçme e Antikorrupsionit që do të ketë në kompetenca e saj hetimin e krimit dhe korrupsionit në zgjedhje.

Propozimet e PD janë bërë nga përfaqësuesi i saj në tryezën e reformës zgjedhore gjatë takimit me ekspertët e ODIHR-it.

“Janë tre paketa në lidhje me atë që ne mendojmë se është instrumenti që do të ndajë politikën nga krimi, do të godasin krimin zgjedhor, do të rrisin efikasitetin e krimit zgjedhor. Është roli i Policisë së Shtetit në një kuadër masash që garantojnë fushën e barabartë të lojës. Futja e një numri instrumentesh që kanë të bëjnë me të drejtën dhe mbrojtjen e subjekteve që do të denoncojnë krimet zgjedhore, rol të shtuar për Policinë Gjyqësore dhe elementë të tjerë që garantojnë sekretin dhe lirinë e zgjedhësve në procesin e votimit.

Po ashtu, kemi bërë propozime në lidhje me rolin që do të ketë Prokuroria, qoftë ajo e zakonshme, qoftë ajo e Posaçme në goditjen e krimit zgjedhor, në mënyrë të veçantë Prokuroria e Posaçme për korrupsionin zgjedhor, qoftë atë aktiv, qoftë atë pasiv dhe futja e këtij të fundit në kompetencat e SPAK-ut, sepse në të shkuarën është lënë jashtë duke dëmtuar një qëllim që ka jo vetëm Kushtetuta por edhe reforma zgjedhore e mëhershme, që krimi i korrupsionit zgjedhor duhet të goditet nga strukturat më të specializuara që kemi ne sot nga reforma në drejtësi”, shprehet z. Bylykbashi.

Pritet që këto propozime të diskutohen në mbledhjet e ardhshme të tryezës politike për reformën zgjedhore. Pakti politik PD-PS i arritur për këtë reformë parashikon miratimin e ndryshimeve ligjore në Parlament brenda muajit mars.

PD ka akuzuar shpeshherë Prokurorinë për zvarritje të hetimeve sa i takon dy dosjeve që kanë të bëjnë me krimin elektoral, atë të zgjedhjeve në Durrës dhe Dibër, për të cilat organi i akuzës ka dhe përgjime. /Euronews Albania

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll