Prokuroria ka nxjerrë në dritë të dhëna të reja në lidhje me bandën që vendoste sasi eksplozivi dhe ishte autore e disa shpërthimeve, sidomos në zonën e Krujës dhe të Fushë Krujës. Hetimi i nisur nga policia për Febius Dautin në Durrës, është përvijuar me përfshirjen e personave të cilët vendosnin sasi të konsiderueshme të lëndës shpërthyese C4, duke i aktivizuar ato në distancë.
Sipas burimeve pranë organeve hetimore, këto sasi eksplozivi vendoseshinnë makina ose banesa pas porosive nga palë të treta, kundrejt pagesave të majme që shpeshherë kalonin mijëra Euro.
“Dauti dhe 3-4 shokë të tij mund të vendosin eksplozivë me porosi në vende të ndryshme si makina, vende publike apo kudo që të bëhet porosi kundrejt shpërblimit me para’. Sipas informacionit të përftuar, këta shtetas synonin që porositësit e tyre të ishin korrektë në pagesa për kryerjen e veprimeve të tyre. Po ashtu, janë siguruar të dhëna se këta shtetas dyshohet se mund ta vendosnin lëndën shpërthyese edhe duke e telekomanduar shpërthimin nga distanca”, thuhet në dosjen e organit të akuzës.
Të ndaluarit që janë në arrest me burg u kapën në autostradën Durrës-Tiranë, në zonën në afërsi të mbikalimit për këmbësorë në Shën Vlashkur po këmbenin një sasi eksploziv.