Diplomatja e lartë amerikane Yuri Kim ka mbyllur misionin e saj në Shqipëri. Ambasadorja e SHBA është nderuar me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike nga kryeministri Edi Rama, i cili i ka bërë një shënim të gjatë lamtumire.
"Yuri Kim u largua duke lënë pas në pamje të parë, miq e armiq, që e deshën apo e urryen, ndërkohë që më pranë të vërtetës është fakti se askush s’e deshi dot pa e urryer asnjëherë dhe asnjë se urreu dot pa e dashur qoftë edhe njëherë.
Në radhën e tërë atyre që deri më sot janë ulur në zyrën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, ajo ishte më amerikania mes shqiptarëve dhe më shqiptarja mes amerikanëve", shkruan ndër rreshta kreu i qeverisë shqiptare.
Ndërkohë, gjatë mesazhit të lamtumirës për Yuri Kim, Rama jep dhe një lajm tjetër. Sot, drejt Tiranës është duke udhëtuar ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, diplomati David Kostelancik.
"[...] avioni nga Brukseli po ulet në Tiranë, ku një tjetër ambasador amerikan pritet të bjerë së shpejti në kurthin e ëmbël të Shqipërisë", përmbyllet mesazhi i Edi Ramës.
Yuri Kim i është besuar një tjetër post i rëndësishëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ajo është zgjedhur si zëvendës ndihmës sekretarja kryesore për Çështjet Evropiane dhe do ta fillojë detyrën nga data 10 korrik. Edhe në këtë pozitë të re, ajo do të ketë marrëdhënie me Shqipërinë.
Ambasadori i ri i SHBA, David Kostelancik
David Kostelancik është propozuar nga Presidenti amerikan, Joe Biden për të qenë pasues i Kim. Zyrtari ka një karrierë të gjatë në diplomaci, madje ka punuar dhe në ambasadën amerikane në Tiranë.
Gjatë seancës dëgjimore në fund të Marsit, Kostelancik u shpreh para senatit se është i duhuri për të qenë ambasadori i ri në vendin tonë, bazuar tek eksperienca e tij 30-vjeçare dhe dëshira e madhe për të përforcuar partneritetin SHBA-Shqipëri.