
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka dalë kundër arrestimit të Saimir Tahirit për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, pasi sipas tij, ky është një precedent i ngjashëm me kohën e diktaturës, ku qytetarët dënoheshin për “agjitacion dhe propagandë”.
Ai e cilësoi vendimin për ish-ministrin si një rikthim të drejtësisë popullore të diktaturës dhe jo një sukses të drejtësisë së re.
“Është diçka e pandershme, por një precedent shumë i keq që do ta bëjë shpërdorimin e detyrës, vepër penale që ka ngelur që nga koha e Enver Hoxhës, si agjitacioni dhe propaganda dhe kështu kënaqet edhe populli. Dhe kjo është drejtësia popullore e Enver Hoxhës. Nëse drejtësia e re mendon se ka arritur gjë me këtë e kanë gabim, vetëm kanë kthyer drejtësinë popullore”, tha Manjani në Euronews Albania.