Hapësire reklamuese

Aktualitet

“Xibraka”, SMS-ja që shpëtoi Genci Xhixhën dhe dyshimet për dekonspirim

Shkruar nga Newsbomb

Prokuroria evidenton një fakt misterioz në dosjen “Xibraka” të dërguar në gjykatë këtë javë me dhjetë persona të pandehur, njëri prej të cilëve në kërkim.

Pikërisht për personin në kërkim, Genci Xhixha, i konsideruar si financues dhe sigurues i lëndës së kokainës në Kolumbi e cila vinte e përpunohej në Elbasan, prokuroria dyshon se ai është njoftuar se po ndiqej. Në dosjen e dorëzuar në gjykatë ndodhen 12 raporte vëzhgimi të Policisë së Shtetit me autorizim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të kryera gjatë periudhës dhjetor 2014 - janar 2015.

Në të gjitha këto vëzhgime të kryera në qytetet Tiranë, Elbasan, Xibrakë dhe në rrugën që lidh këto dy qytete, gjithçka ka ecur normalisht deri në datën 14 janar 2015. Atë ditë pretendohet se Genci Xhixha ka qenë në Shqipëri dhe paradite është nisur në drejtim të Elbasanit.

Linja logjike e ngjarjeve ishte që ai të shkonte në laboratorin e Xibrakës, ku ndodheshin në atë moment disa nga bashkëpunëtorët e tij. Por ndërsa ishte nisur për në Elbasan, në orën 10:35 Genci Xhixha ka marrë një mesazh që ka ndryshuar rrjedhën e gjërave.

DYSHIMET PËR DEKONSPIRIM

Financuesi e furnizuesi i laboratorit të Xibrakës është kthyer menjëherë pasi kishte kaluar rrethrrotullimin e TEG-ut për në Tiranë, duke anuluar udhëtimin në Elbasan. Skuadra e policisë që po ndiqte automjetin ku ndodhej Genci Xhixha ka parë se ai ka ndërruar rrugë papritur, duke u kthyer në drejtim të Tiranës.

Po atë ditë disa minuta pas këtij episodi grupi i vëzhguesve që ishte vendosur në Xibrakë ka parë personat që vepronin në Laborator të nxirrnin në pjesën e pasme të ndërtesës fuçitë me solucion kokaine dhe t’i derdhnin në tokë, pasi me sa duket ishin njoftuar se ishin nën hetim e vëzhgim. Ky ka qenë momenti i ndërhyrjes së policisë, e cila arrestoi në flagrancë personat e dyshuar.

Genci Xhixha ndërkohë ka arritur të dalë nga Shqipëria po atë ditë siç dyshohet, por nuk ka asnjë gjurmë të kalimit të tij në pikat kufitare të vendit. Sipas hetuesve, ai ose ka kaluar kufirin në këmbë për në ndonjë vend fqinj ose ka përdorur identitet tjetër. HETIMI Pikënisja e hetimeve që çuan në zbulimin e laboratorit të Xibrakës ishte një informacion i mbërritur nga Gjermania në datën 14 dhjetor 2015. Policia gjermane kishte rënë në gjurmët e Ilir Hysenit, personit që priste atje dhe shpërndante më tej drogën që nisej nga laboratori i Xibrakës. /Panorama/

Lexo gjithashtu

Sondazh

Gazetari Eduard Ilnica është dhunuar barbarisht mbrëmjen e së hënës nga disa persona. Për shkak të një shkrimi botuar në gazetën lokale për ekipin e Kastriotit.

Sakaq, ka reaguar demokrati Genc Pollo që akuzon qeverinë për mosmarrje dënimi apo solidarizim për rastin në fjalë.

Pollo thotë se liria e shtypit ka rënë poshte.

“Edhe një gazetar tjetër i dhunuar barbarisht pasi bëri detyrën, raportoi për dhunën në stadium. Në mes të Tiranës! Asnjë dënim apo solidarizim nga qeveria, ministri i Brendshëm, i Sportit. Si dhe më parë. Liria e shtypit poshtë”, shprehet deputeti në një deklaratë për mediat.