Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i pyetur nga gazetarët në lidhje me akuzuat e ish-kryeministrit Sali Berisha, është shprehur se të gjitha këto janë shpifje duke refuzuar të komentoj më tej akuzat
Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur pas takimit me homologun të tij maqedonas, Nikola Poposki, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i pyetur nga gazetarët në lidhje me akuzuat e ish-kryeministrit Sali Berisha për lidhje të tij me grupin kokaina të arrestuar pak ditë më parë nga policia, është shprehur se të gjitha këto janë shpifje duke refuzuar të komentoj më tej akuzat.
"Për të vazhduar nga spekulimi në shpifje kalojmë edhe tek pyetja e dytë që m’u bë, në lidhje me atë çka thotë deputeti i partisë demokratike Sali Berisha. Unë kam bërë një angazhim ditën që jam bërë Ministër i Punëve të Jashtme për të mos e përdorur këtë foltore për politikë të brendshme, në dallim nga një pjesë e mirë e paraardhësve të mi. Më lejoni t’ju them vetëm kaq në lidhje me shpifjet për mua dhe për shërbimin e jashtëm të bëra nga një person që shpifjen e ka kthyer në institucion: kush është i interesuar për informacion të mëtejshëm për kaq sa them unë mund të kontaktojë me Ministrinë e Punëve të Jashtme.. Çdo gjë tjetër përtej kësaj do të ishte spekulim në rastin më të mirë dhe shpifje në rastin më të keq, përveç shpifësit që e ka kthyer shpifjen në institucion”, ka thënë Bushati.
Gjatë konferencës dy ministrat kanë folur sërish për nevojën që ka zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni dhe ndihmën e vazhdueshme që jep Shqipëria për anëtarësimin e këtij vendi në NATO dhe tejkalimin e ngërçit me Greqinë.
Të dy ministrat shprehën kënaqësinë për ecurinë e bashkëpunimit dypalësh politik dhe konkluduan se mundësitë dhe realizimi i bashkëpunimit ekonomik nuk i përgjigjet nivelit të atij politik. Për këtë qëllim ministrat e vunë theksin në intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike.