Gjykata Themelore e Prishtinës në seancën e së mërkurës, ka vendosur që procedura ndaj ministrit Xhelal Sveçla, Dardan Molliqaj, Pajtim Havolli dhe disa personave të tjerë, të veçohet duke qenë se ata kanë munguar dhe nuk kanë shkuar në seancë.
Politikanët ën fjalë akuzohen për veprime të dhunshme në protestën e 2013-ës.
Gjyqtari tha se i akuzuari Xhelal Sveçla nuk ka shkaur në seancën e sotme edhe pse sipas tij, përmes procesverbalit të datës 09 mars 2023 ka qenë i njoftuar për seancën, por nga njoftimi zyrtar me 29 mars 2023 ka lajmuar gjykatën se “me keqardhje ju njoftoi se për shkak te angazhimeve të natyrës urgjente nuk mund te marr pjesë ne seanca”.
“Është lëshuar edhe urdhëresa drejtuar stacionit policor qendra mirëpo deri më tani nuk kemi njoftim lidhur me moszbatimin e kësaj urdhërese”, ka thënë gjyqtari.
Sipas aktakuzës, në protestën e organizuar më 27 qershor 2013, kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të akuzuarit kanë hedhur gurë, bojë, sfera qelqi, shishe e mjete piroteknike kundrejt disa zyrtarëve policorë, ku si pasojë lëndime të lehta kanë pësuar katër policë dhe janë dëmtuar katër vetura zyrtare.