Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

VULLKANI QË PRITET TË SHPËRTHEJË NË VITIN 2021!

Shkruar nga Newsbomb
VULLKANI QË PRITET TË SHPËRTHEJË NË VITIN 2021!
Edi Oga, autor i shkrimit

Nga Edi Oga ekskluzivisht për Newsbomb.al

Viti 2020 do të shënohet me ngjyrë të kuqe në kalendarin e njerëzimit!

Jo se Bota nuk ka pasur vite më të këqia se ky, por asnjëherë e keqja nuk kishte prekur kaq frikshëm të gjithë Botën në një vit të vetëm! Pandemia, kjo e keqe, ndaj të cilës të pasurit e të pushtetshmit, “dhanë llogari” njësoj si të varfrit dhe të papushtetshmit!

Megjithëse arsyeja na e refuzon duke u tallur, shpirti na e kërkon që të besojmë se viti 2021 do të jetë një vit më i mirë se ky që po lëmë!

E gjithë Bota pret që ky të jetë viti i mposhtjes së pandemisë!

E gjithë Bota pret që ky të jetë viti i rimëkëmbjes ekonomike!

E gjithë Bota pret që ky të jetë viti që njerëzit të rifitojnë liritë e humbura!

Këto i presim edhe ne, ne që jetojmë në këtë rrip toke me gjithnjë e më pak det përqark!

Ne që këtë dhé e kemi quajtuar Shqipëri dhe e thërrasim sipas rastit at(dhé) ose mëmë(dhé)!

A do të na i sjellë viti 2021 këto të mira për të cilat e gjithë Bota lutet dhe shpreson?

Askush nuk thotë dot jo!

Askush nuk thotë dot po!

Një vit është një xhiro e plotë që Toka bën rreth Diellit në 365 ditë, ditë gjatë së cilave “i gjithëfuqishmi” na dërgon rreze të ngrohta, shi dhe dëborë, meteorë, uragane e tajfune, tërmete dhe vullkane!

Të gjitha këto mund të ndodhin! Të gjitha priten! Njeriu modern është gjithnjë e më tepër në gjendje të parashikojë se kur natyra do të “shprehet” me elementet e saj!

Nga të paktat fenomene ku njeriu akoma “nuk merr dot një notë kaluese” në parashikim, janë tërmetet dhe vullkanet!

Në Shqipëri, në vitin 2021, pritet të shpërtheje një vullkan!

Për fatin tonë të mirë, si kurrë ndonjëherë, të gjithë e dinë datën kur do të shpërthejë; 25 Prill 2021!

Mbase ju duket krahasim i ekzagjeruar, spekullim i pashije, por hajde ta mendojmë edhe njëherë së bashku; a nuk ishin zgjedhjet e vitit 2017 një tërmet? (“tërmet, tërmet e ke bo!” cit.D.Gj.) Ata që përfituan nga ky tërmet, kësaj rradhe kanë nevojë që diçka më e madhe, diçka më e fuqishme të bjerë mbi qytetarët e këtij vendi, që të vazhdojnë të qëndrojnë aty ku janë! A nuk do të ishte fatale sikur të njejtët “sizmiologë” të thërrisnin të kënaqur “vullkan, vullkan e ke bo!”

Këtë vullkan nuk na e sjell Viti i Ri! E kemi programuar ne, që të shpërthejë në atë ditë!

A kemi ne nevojë që ky vullkan të shpërthejë? Ky vullkan njerëzor ku faturën e llavës dhe tymit të zi do ta paguajmë të gjithë ne? Jo! Ne nga ky vit që po vjen presim vetëm ato tre gjëra të mira që i pret gjithë Bota! Shëndet, Ekonomi, Liri!

Politikanët do të përpiqen të na shtyjnë e të na ngjeshin në bazën e këtij vullkani, e kur të vijë dita, të na shpërthejnë, por kësaj rradhe nuk do t’ia dalin! Nëse do të ketë ndonjë “shpërthim”, do të zhduken nga politika një palë prej tyre dhe do të bëhet gati për zhdukje edhe pala tjetër!Kjo klasë politike duhet ndryshuar. Të paktën ata që janë në krye të partive prej “shekujsh”!

Këtë nuk na e bën dot “Viti i Ri”. Këtë mund ta bëjmë vetëm ne, për veten tonë!

Sondazh

Poll