Një 25-vjeçar është qëlluar për vdekje me thikë në Dibër.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 21:35 të mbrëmjes së sotme në Njësinë Administrative Arras.
Viktima me inicialet I.Z është qëlluar me thikë në rrethana ende të paqarta. Ai u dërgua me urgjencë drejt spitalit të Peshkopisë por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë rrugës.
Sakaq, forca të policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të saj.
Informacion paraprak nga Policia:
Policia e Dibrës, ka marrë informacion se në njësinë administrative Arras, dyshohet se është plagosur me mjete prerëse shtetasi I.Z, rreth 25 vjeç.
I dëmtuari ka humbur jetën rrugës për në Spitalin e Peshkopisë.
Grupi hetimor vijon hetimet në vendin e ngjarjes.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, mbështetur nga forcat Policore Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, kanë ngritur pika kontrolli, dhe po hetojnë intensivisht për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.