Janë publikuar pamjet e arrestimit të Elmir Tufës, i cili ishte i shpallur në kërkim për vrasjen e Shkëlzen Kastratit në shkurt të 2021.
Autoritetet blu njoftuan se Tufa u arrestua ditën e sotme nga Forcat Operacionale në aksin Fushë Krujë-Vorë. Për këtë rast ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili ka përgëzuar Policinë e Shtetit duke theksuar se ngjarjet e vjetra nuk do të harrohen.
“Një tjetër person me rrezikshmëri të lartë, i shpallur në kërkim për vrasje, u ndalua sot nga Forca Operacionale e Drejtorisë së PolicisëTiranë. Nuk duhet të harrojmë se kemi ende shumë persona në kërkim, ngjarje të rënda pa autor, e vrasje të vjetra që nuk mund të harrohen nëse autorët nuk përballen me drejtësinë. Përgëzime për sot”, shkruan Balla.
Më 2 mars të 2021, Elmir Tufa, foli nga arratia dhe mohoi përfshirjen në këtë ngjarje kriminale. Në një intervistë për emisionin Unikon, ai tha se ditën e vrasjes së Kastratit ka qenë në Krujë, dhe të gjitha vendet ku ai ka qenë janë të pajisura me kamera, të cilat e kanë filmuar.
LEXO EDHE: Në kërkim për vrasjen e Shkëlzen Kastratit në 2021, arrestohet Elmir Tufa
Ngjarja ndodhi në datë 1 shkurt 2021, ku 41 vjeçarit Shkëlzen Kastrati iu bë atentat teksa udhëtonte me makinën e tij në zonën e rrethrrotullimit të Sheqit. Ai u qëllua me 2 plumba që i morën jetën.