Gjykata e Tiranës kalon për gjykim Ludjan Zaimin efektivi që vrau brenda komisariatit kolegun e tij Çaush Saliasin.
Zaimi akuzohet për vrasje me dashje dhe nuk përfiton gjykim të shkurtuar. Ludjan Zaimi pas një debate banal qëlloi me të paktën shtatë plumba kolegun e tij Çaush Saliasi në ambientet e komisariatit nr.3.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 majit në kohën kur po ndërroheshin turnet.
Prokuroria e akuzon ish-policin për “vrasje të punonjësit të policisë” ndërsa mbrojtja ka pretenduar se vrasja nuk ka ndodhur për shkak të detyrës, por për shkak të marrëdhënieve personale mes dy kolegëve.
Gjatë seancës gjyqësore më 25 maj, disa ditë pas vrasjes, Zaimi nuk tha asgjë, ndërsa avokati i tij kërkoi një masë më të lehtë për klientin e tij.
Gjykatësi Sokol Pasha ka kërkuar gjithashtu edhe një ekspertizë mjeko-ligjore të autorit, kjo pasi gjatë kontrollit në banesë, atij iu gjetën anti-depresantë seroquel, medikament që përdoret për të kuruar skizofreninë, çrregullime bipolare si dhe për probleme të tjera të rënda mendore.