Orjon Mitri Llupo, 41 vjeçari shqiptar që akuzohet se ka vrarë një shtetas grek rreth dy muaj më parë në vendin fqinj, ndodhet në Shqipëri dhe duket se do t'i shpëtojë ekstradimit. Newsbomb.al mëson se Llupo është ndaluar nga Policia e Shtetit, por më pas është lënë i lirë.
Kjo, për arsye se Greqia nuk e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar 41 vjeçarin nga Shqipëria dhe në këto kushte Policia e Shtetit nuk mund ta mbante në mënyrë të paligjshme në qeli.
Orjon Mitri Llupo akuzohet se më 17 tetor të 2023, pas një debati për një dozë heroinë me shtetasin grek Nikolao Mazaraqi, e ka goditur 38 vjeçarin disa herë me thikë dhe i ka shkaktuar plagë të rëndë. Dy orë pas sherrit, shtetasi grek ka ndërruar jetë.
Ekipet e Policisë së Athinës nisën menjëherë kërkimet për 41 vjeçarin por nuk arritën ta gjenin atë. Ditë më vonë, familjarët njoftuan se Orjon Mitri Llupo ndodhej në Shqipëri dhe menjëherë Policia e lokalizoi dhe e shoqëroi.
Por, siç mëson newsbomb.al përmes burimeve të sigurta, Policia shqiptare është detyruar të lirojë 41 vjeçarin, sepse nga verifikimet në sistem nuk ka rezultuar që ai të ishte në kërkim ndërkombëtar.
Për më tepër, kur një njoftim i kuq kërkimi ndërkombëtar në sistemin e Interpol nuk ekziston dhe Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me Greqinë, Orjon Mitri Llupo është lënë i lirë dhe sot ndaj tij nuk ka asnjë masë kufizuese apo të heqjes së lirisë.
// NEWSBOMB.AL