Gjykata e Shkallës së parë të Elbasanit ka dënuar me 18 vite burg, shtetasin Leonard Bashaliu, i cili akuzohet për vrasjen e Ylber Xhahysës pas një konflikti për makinën.
Ai akuzohet për veprat penale: “Vrasje me paramendim”, “Prishje e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Autori i vrasjes më parë ka dëshmuar në gjykatë dhe ka thënë se nuk donte ta vriste Xhahysën, po sipas tij viktima e kishte dhunuar dhe fyer.
Autori Bashaliu u arrestua menjëherë pas kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa që prej qershorit 2021 ai ka qenë nën masën e arrestit me burg.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 8 qershor të vitit 2021 në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Autori dhe viktima Ylber Xhafhysa kanë qenë të përfshirë në një konflikt 5 vite më parë, pasi Xhahysa i ka gërvishtur makinën Bashaliut.
Viktima dhe autori u konfliktuan fillimisht verbalisht, por që më pas degradoi edhe në përdorimin e dhunës, ku ata e goditën njëri-tjetrin me karrige e gota. Më pas Bashalliu ka nxjerrë armën duke qëlluar Xhahysën dhe duke e lënë atë të vdekur në vend.