
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka dënuar me 10 vite burg ish-policin Arbër Sula, i cili vrau me armë e shërbimit 29-vjeçarin Jurgen Duka.
Sula është dënuar me 10 vite burg, por përfiton nga gjykimi i shkurtuar kështu që do të vuajë dënimin me 6 vite e 8 muaj burg.
Kujtojmë që ngjarja e rëndë ndodhi orët e para të mëngjesit të 14 Dhjetorit të vitit 2021 në një market në “Vasil Shanto” në Tiranë, ku viktima dhe autori debatuan për radhën në një market.
Pas fjalëve, sherri degjeneroi në grushte, ndërkohë që më pas ish-efektivi i Policisë, atë natë jashtë shërbimit, nxori armën dhe e goditi 29-vjeçarin me një plumb në zemër, duke i shkaktuar vdekjen.
Njoftimi:
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale A.S, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje’’, të parashikuar nga neni 76 i K.Penal.
Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 14.12.2021, rreth orës 00:20, në lokalin “Market Juli”, në rrugën “Irfan Tomini”, Tiranë, si pasojë e një konflikti të çastit, i pandehuri A.S ka vrarë me armë zjarri shtetasin J.D (M).
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tirane, me vendimin nr. 2019, datë 15.09.2023 ka vendosur:
Deklarimin fajtor të të pandehurit A. S për veprën penale “Vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij 10 (dhjetë) vite burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i zbritet 1/3 e dënimit, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin A. S me 6 (gjashtë) vite e 8 (tetë) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit të kryhet në një burg të sigurise së zakonshme.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve të bëra:
-Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
-Deklarimin fajtor të të pandehurit A.S, për veprën penale “Vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet burgim.
-Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e 1//3 të dënimit me burgim.