
Detaje të reja dalin në lidhje me atentatin mafioz të mbrëmjes së kaluar në Lezhë, ku mbeti i vrarë Entjan Nikulaj, kushëri (djalë xhaxhai) i Ardian Nikulajt.
Teksa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve vazhdojnë, burime bëjnë me dije se policia ka shoqëruar disa persona.
Ndërkohë mësohet se në vendin e ngjarjes ku u vra Entjan Nikulaj 40 vjeç janë gjetur të paktën 25 gëzhoja. Entjan Nikulaj u ekzekutua mbrëmë rreth orës 21:30 me breshëri plumbash në rrugën “Lezhë-Shkodër”, në vendin e quajtur “Ura e Trenit”.
Për fat të keq 40-vjeçari, i cili u qëllua teksa ishte brenda në makinë nuk i mbijetoi plagëve të marra. Pavarësisht ndihmës dhe trajtimit të menjëhershëm mjekësor, Entjan Nikulaj ndërroi jetë mbrëmë në Spitalin Rajonal të Lezhës.
Lexo edhe: Ky është Entjan Nikulaj, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash mbrëmë në Lezhë
Entjan ose ndryshe Eno Nikulaj, është kushëri (djalë xhaxhai) i Ardian Nikulajt, i cili u vra më 19 prill të këtij viti në lokalin e tij në Shëngjin. Ky i fundit u vra si pasojë e hasmërisë 26-vjeçare mes fisit Lekstakaj dhe Nikulaj, raporton neësbomb.al.
Ndërkohë, më 19 Korrik po të këtij viti, i ekzekutuar me armë zjarri në Lezhë mbeti Nikolin Lekstakaj. Sipas burimeve për mediat, Entjan Nikulaj, ishte një prej personave të dyshuar në këtë ngjarje. Shkaqet e këtij atentati nuk dihen ende. Por dyshohet se ekzekutimi i Entjan Nikulajt mund të ketë ardhur si pasojë e hakmarrjes mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj, megjithatë deri më tani policia ka qenë e rezervuar për të dhënë një pistë konkrete.
Gjakmarrja mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj
Historia e përplasjeve mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj në Lezhë e ka zanafillën në vitin 1996, ku konflikti nisi në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra.
Vëllai i Ardian Nikulaj bashkë me një përson tjetër ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën. Pas furnizimit me karburant shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnzimit me karburant.
Pas debatit verbal drejtuesi i mjetit është larguar, duke u rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cileve dhe vëllain e Ardian Nikulaj.
Aty nis dhe historia e gjakmarrjes, ku pak muaj më vonë vriten Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja që ishte nip i familjes. Ndërsa në vitin 1999 vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset rëndë Pjetër Lekstakaj, ngjarje këto të pazabardhura.