Sokol Mjacaj, i cili ekzekutoi të dënuarin Arben Lleshi brenda burgut të Peqinit, ditën e sotme është marrë në pyetje nga policia e Elbasanit.
Burime për media bëjnë me dije Mjacaj ka dhënë më shumë detaje për ngjarjen, teksa ka zbardhur dhe mekanizmat e vrasjes, por që ende nuk dihet se çfarë saktësisht.
Më poshtë dinamika e vrasjes në burgun e Peqinit sipas Prokurorisë së Elbasanit
Në datë 15.12.2023 rreth orës 13:52 në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, shtetasi (i dënuar me burgim përjetshëm, i caktuar me vendim gjykate siguri e lartë) Sokol Mjaca me armë zjarri pistoletë ka gjuajtur në drejtim të shtetasit (të dënuar) Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja, duke lënë të vdekur në vend viktimën Arben Lleshi dhe plagosur viktimën Indrit Shaqja.
Më pas ky shtetas ka kanosur me armë zjarri në dorë punonjësit e shërbimit si dhe më pas është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruara një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe dy predha të dëmtuara. Prej ditës së djeshme, është artikuluar në media se i riu nga Dukagjini mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të ekzekutuar brenda në burg Arben Lleshin.
Kjo përforcohet dhe nga fakti se dje para ngjarjes, ministri Manja ka deklaruar se kishte firmosur urdhrin për transferimin e autorit në regjimin special “41 BIS”.
Pavarësisht se u tha se pistoleta që Sokol Mjacaj kishte në qeli mund të ishte futur atje me dron, dyshohet se arma ka kaluar dorazi dhe e plotë. Pra, arma ka kaluar rregullisht sikur të ishte mjet i lejuar në një burg të sigurisë së lartë dhe e pa copëzuar.
Ngjarja e rëndë ka nxjerr në pah dhe një problematikë tjetër në këtë burg. Një pjesë e kamerave të sigurisë dhe e skanerit nuk punonin prej kohësh. Kjo ka krijuar hapësira, ndoshta, dhe për të dënuarit e tjerë për të futur sende të palejuara në qelitë e tyre.
Sokol Mjacaj ka deklaruar në dëshminë e tij para kryeprokurorit të Elbasanit se vrasjen e Lleshit e kishte kryer pasi ai nuk e kishte pranuar në sektor.
“Jemi konfliktuar aty për aty me Arben Lleshin. Nuk më pranoi në sektor. Armën e kam futur para 20 ditësh apo një muaj”, është shprehur autori i të shtënave në Burgun e Peqinit. Megjithatë, ky mbetet vetëm një pretendim i Sokol Mjacaj, pasi grupi hetimor ka dyshime mbi vërtetësinë.