Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Vrasja në burgun e Peqinit, shtyhet seanca për zyrtarët e ndaluar

Shkruar nga Newsbomb
Vrasja në burgun e Peqinit, shtyhet seanca për zyrtarët e ndaluar

Seanca për masën e sigurisë që ishte planifikuar të mbahej sot për drejtorin e burgut të Peqinit si dhe 11 zyrtarë të këtij institucioni është shtyrë.

Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën “arrest me burg” për Sokol Mjacajn, autorin e vrasjes në burgun e Peqinit, si dhe për 12 zyrtarët e IEVP Peqin të ndaluar.

Të dielën u dorëzua kërkesa në gjykatën e Elbasanit për vleftësimin e ndalimeve dhe caktimin e masës së sigurisë. Mes të ndaluarve për këtë ngjarje të rëndë, të cilët akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre”, është edhe kreu i Burgut të Peqinit, Kamber Hoxha.

Sokol Mjacaj qëlloi për vdekje me armë zjarri të premten të dënuarin Arben Lleshi dhe plagosi Indrit Shaqjan.

LEXO EDHE: Ndalohen drejtori dhe stafi i Burgut të Peqinit, Mjacaj: Armën e futa para 20 ditësh!

Sherri i përgjakur në burgun e Peqinit nga ku mbeti i vrarë i dënuari përjetë Arben Lleshi dhe i plagosur bashkëvuajtësi i tij Indrit Shaqja ka tronditur jo vetëm opinionin publik, por edhe “themelet” e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ra pre e manipulimeve të Sokol Mjacajt, i cili rezulton të ketë lëvizur i lirë në ambientet e burgut me armën e krimit për të paktën 20 ditë.

Sipas prokurorisë së Elbasanit, Mjacaj ka lëvizur lirshëm me armën e zjarrit në ambientet e përbashkëta të burgut siç është edhe dhoma e ajrimit, gjatë gjithë këtyrë ditëve, pasi punonjësit e shërbimit nuk kryen detyrën e tyre për ta kontrolluar Mjacajn sipas protokollit.

LEXO EDHE: Prokuroria e Elbasanit: Mjacaj lëvizte me armë në burg, policët nuk e kontrollonin

Gjatë transferimit nga ambientet e godinës të emërtuar si 41 bis ku ka qënë i akomoduar për në godinën B të sigurisë së lartë ku është akomoduar së fundmi i dënuari Sokol Mjacaj rezulton se nuk është kryer procedura standarte e kontrrollit fizik dhe të sendeve personale si parashikon skema e sigurisë.

Prokuroria e Elbasanit thekson se nga ana e autoriteteve të informacionit të burgut nuk është njoftuar ngjarja e ndodhur në orën 13:52 të datës 15.12.2023 në sallën operative të DVP Elbasan apo Komisariatin e Policisë Peqin.

Më poshtë dinamika e vrasjes në burgun e Peqinit sipas Prokurorisë së Elbasanit

Në datë 15.12.2023 rreth orës 13:52 në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, shtetasi (i dënuar me burgim përjetshëm, i caktuar me vendim gjykate siguri e lartë) Sokol Mjaca me armë zjarri pistoletë ka gjuajtur në drejtim të shtetasit (të dënuar) Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja, duke lënë të vdekur në vend viktimën Arben Lleshi dhe plagosur viktimën Indrit Shaqja.

Më pas ky shtetas ka kanosur me armë zjarri në dorë punonjësit e shërbimit si dhe më pas është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruara një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe dy predha të dëmtuara. Prej ditës së djeshme, është artikuluar në media se i riu nga Dukagjini mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të ekzekutuar brenda në burg Arben Lleshin.

Kjo përforcohet dhe nga fakti se dje para ngjarjes, ministri Manja ka deklaruar se kishte firmosur urdhrin për transferimin e autorit në regjimin special “41 BIS”.

Pavarësisht se u tha se pistoleta që Sokol Mjacaj kishte në qeli mund të ishte futur atje me dron, dyshohet se arma ka kaluar dorazi dhe e plotë. Pra, arma ka kaluar rregullisht sikur të ishte mjet i lejuar në një burg të sigurisë së lartë dhe e pa copëzuar.

Ngjarja e rëndë ka nxjerr në pah dhe një problematikë tjetër në këtë burg. Një pjesë e kamerave të sigurisë dhe e skanerit nuk punonin prej kohësh. Kjo ka krijuar hapësira, ndoshta, dhe për të dënuarit e tjerë për të futur sende të palejuara në qelitë e tyre.

Sokol Mjacaj ka deklaruar në dëshminë e tij para kryeprokurorit të Elbasanit se vrasjen e Lleshit e kishte kryer pasi ai nuk e kishte pranuar në sektor.

“Jemi konfliktuar aty për aty me Arben Lleshin. Nuk më pranoi në sektor. Armën e kam futur para 20 ditësh apo një muaj”, është shprehur autori i të shtënave në Burgun e Peqinit. Megjithatë, ky mbetet vetëm një pretendim i Sokol Mjacaj, pasi grupi hetimor ka dyshime mbi vërtetësinë.

Emrat e zyrtarëve të ndaluar për ngjarjen në burgun e Peqinit

-Kamber Hoxha, 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IEVP Peqin;

-Qani Muça, 60 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin;

-Nikolin Gjonpalaj, 54 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef i Policisë së IEVP Peqin;

-Vilson Shima, 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin;

-Arben Dulellari., 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin;

-Ilir Balla, 46 vjeç, banues në Peqin, polic shërbimi i IEVP Peqin;

-Florenc Mile., 43 vjeç, banues në Lushnje, polic shërbimi i IEVP Peqin;

-Fatos Pire., 50 vjeç, banues në Belsh, polic shërbimi i IEVP Peqin;

-Genci Muça, 49 vjeç, banues në Lushnjë, punonjës policie i IEVP Peqin;

-Klement Haka, 44 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin;

-Erjon Çela., 36 vjeç, banues në Belsh, punonjës policie i IEVP Peqin;

-Indrit Dubali, 41 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese