Vrasja në Shkodër e pronarit të një bujtine në Theth tronditi opinionin publik sot, një ngjarje e rëndë kriminale, e treta në radhë në vetëm pak ditë, pas dy vrasjeve të bujshme në kryeqytet.
Gazetari Artan Hoxha thotë se 35-vjeçari Nard Polia ishte emigrant në Itali, më pas kishte vendosur të kthehej në atdhe për të investuar në zonën turistike të Thethit, ku ndërtoi një bujtinë.
Në emisionin “Repolitix”, në Report TV, gazetari Hoxha tha se rritja e ngjarjeve kriminale ka ardhur si pasojë e klimës të tensionuar politike por edhe për shkak të angazhimit të strukturave të policisë në ruajtjen e rendit gjatë protestave opozitare.
Deklarata e Hoxhës:
Është një shqiptar i cili ka shkuar si emigrant, ka punuar në Itali, është kthyer nga Italia, ka ndërtuar atë bujtinën. Ka marrë makinën në servis, së bashku me një punonjës të servisit në makinë. Është goditur me shumë plumba. Ka ardhur nga Italia, ka investuar aty, ka dalë edhe në media për këtë gjë, duke reklamuar bukuritë e Thethit. Hetimet do tregojnë…
Një klimë me tension të madh politik, me një goditje të agjencive të zbatimit të ligjit, nesër ke protestë, policia nuk ka kohë të merret me bandat, do shkojë të ruajë godinat e shtetit. Atëherë elementët kriminalë marrin zemër dhe fillojnë të lajnë hesapet.