Hapësire reklamuese

Rajoni

Vrasja e policit në Kosovë, Vjosa Osmani: Sulmi është planifikuar nga Serbia, presim aleatët të na mbështesin

Shkruar nga Newsbomb

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për ngjarjen e rëndë të shënuar në Kosovë, ku u sulmua policia dhe për pasojë humbi jetën një efektiv dhe u plagos një tjetër.

Osmani me anë të një postimi në rrjetet sociale, njofton se sulmi është planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe.

“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”, shkruan Osmani.

Presidentja po ashtu shkruan se përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pret që aleatët të mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës.

Postimi i plotë i Osmanit: 

Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.

Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.

Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë do ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës.

Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë.

Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë.

Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese