![Vrasja e Liridonës, Vjosa Osmani: Të ashpërsojmë](https://cdnimpuls.com/newsbomb.al/wp-content/uploads/2023/10/-1000-0-Screenshot_15-17.jpg)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sërish lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditë më parë ku Liridona Ademaj humbi jetën pasi u vra në mënyrë makabër me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murseli.
Gjatë një konference presidentja Osmani është shprehur se kjo ngjarje duhet të shërbejë si një thirrje për zgjimin e ndërgjegjes kolektive dhe një ndryshim në mënyrën se si shoqëria dhe sistemi i drejtësisë përballen me dhunën ndaj grave.
Ndër të tjera ajo ka theksuar domosdoshmërinë e ashpërsimit të masave dënuese për të gjithë ata që dhunojnë gratë.
“Duhet të luftojmë me ngulm mosnormalizimin e dhunës. Kjo është sfidë e gjithë shoqërisë. Janë identifikuar një sërë mungesash në mënyrën sesi funksion zinxhiri i institucioneve… është esenciale që dënimet e institucioneve tona të drejtësisë mos të jenë të tilla që të inkurajojnë dhunuesit,” theksoi Osmani.
Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve, u vra barbarisht mbrëmjen e 29 nëntorit në Prishtinë. Fillimisht u tha se ajo ishte duke udhëtuar me bashkëshortin dhe dy fëmijët me makinën e tyre, kur persona të maskuar i kanë grabitur dhe gjatë këtij akti, kanë vrarë Liridonën.
Mirëpo, më pas rezultoi se ishte bashkëshorti i saj ai i cili kishte porositur vrasjen e saj. Ky i fundit së bashku me dy fëmijët e çiftit u larguan nga mjeti, duke lënë 30-vjeçaren në makinë aty ku dhe ndodhi vrasja.
Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Granit Plava, personi i akuzuar për vrasjen dhe Kushtrim Kokalla, anëtar i FSK-së janë tre të arrestuarit. Bashkëshorti i Liridonës dhe bashkëfshatari i tij Granit Plava, kanë pranuar se janë ata porositësi dhe ekzekutor. Madje, Granit Plava ka deklaruar para hetuesve se ai është paguar 30 mijë euro për të vrarë gruan e ish-këshilltarit të politikanit Behgjet Pacolli. Paratë, 15 mijë euro Naim Murseli i ka dhënë para ngjarjes dhe 15 mijë euro të tjera pas saj.