
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar lidhur me ngjarjen tragjike të 29 nëntorit, ku 30-vjeçarja Liridona Ademaj u vra në mënyrë makabër me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murseli. Reagimin e tij kryeministri Kurti e nis duke thënë se: Liridona u vra se ishte grua!
Më tej ai i ka vendosur ultimatum duke thënë se drejtësia duhet të ndëshkojë autorët dhe ata të marrin dënimin maksimal.
Kreu i qeverisë së Kosovës tha se për të parandaluar këto krime makabër, ku fatkeqësisht çdo ditë dhe më shumë gratë po vriten, secili në çdo fushë në vend duhet të punojë fort.
“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë. Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.
Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin. Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi.
LEXO EDHE: Familjarët kërkuan zhvarrosjen, trupi i Liridonës do të rivarroset nesër
Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend. Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu. E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, shkruan Kurti.
Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve, u vra barbarisht mbrëmjen e 29 nëntorit në Prishtinë. Fillimisht u tha se ajo ishte duke udhëtuar me bashkëshortin dhe dy fëmijët me makinën e tyre, kur persona të maskuar i kanë grabitur dhe gjatë këtij akti, kanë vrarë Liridonën. Mirëpo, më pas rezultoi se ishte bashkëshorti i saj ai i cili kishte porositur vrasjen e saj. Ky i fundit së bashku me dy fëmijët e çiftit u larguan nga mjeti, duke lënë 30-vjeçaren në makinë aty ku dhe ndodhi vrasja.
Pas ngjarjes, Policia e Kosovës njoftoi zbardhjen e saj, duke arrestuar porositësin e vrasjes, vrasësin dhe një anëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Granit Plava, personi i akuzuar për vrasjen dhe Kushtrim Kokalla, anëtar i FSK-së janë tre të arrestuarit.
Bashkëshorti i Liridonës dhe bashkëfshatari i tij Granit Plava, kanë pranuar se janë ata porositësi dhe ekzekutor. Madje, Granit Plava ka deklaruar para hetuesve se ai është paguar 30 mijë euro për të vrarë gruan e ish-këshilltarit të politikanit Behgjet Pacolli. Paratë, 15 mijë euro Naim Murseli i ka dhënë para ngjarjes dhe 15 mijë euro të tjera pas saj.
Ndërkohë, ditën e sotme Gjykata e Prishtinës la në burg Naim Murselin dhe dy të tjetër. Ata do të qëndrojnë në paraburgim, ndersa hetimet për ngjarjen po vijojnë.
Në një deklaratë për mediat vëllai i të ndjrës tha: Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu.