
Ish-këshilltari i Behgjet Pacollit, Naim Murseli është vënë në pranga nga policia e Kosovës. Ai dyshohet se është i implikuar në vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Murseli.
"Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar.
Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë," thuhet në njoftimin e policisë.
Kujtojmë se Liridona Murseli, 33-vjeçarja u vra në mbrëmjen e 29 nëntorit në Prishtinë. Autorët e ngjarjes kanë qenë dy. Pasi kanë vrarë 33-vjeçaren, ata janë arratisur me makinë. Dy grabitësit kanë qenë me një veturë me targa të huaja, të tipit BMW.
Siç ka deklaruar bashkëshorti i viktimës para hetuesve policorë, hajdutët fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat. Kjo situatë dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri. Mirëpo, tashmë historia ka marrë tjetër drejtim.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë reagoi edhe vetë, kryetari i Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli. Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se dhimbjen e tij e ndanë me familjen e të ndjerës Liridona Murseli “Lajm i tmerrshëm për tragjedinë në familjen e Naim Murselit. Dhimbjen time e ndaj me familjen e të ndjerës Liridona” shkruan Pacolli.
Ndërkohë, vjehrri i Lirdonës foli për emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24. Shaban Murseli tha se djali me nusen dhe dy djemtë e tyre 4 dhe 6 vjeç, jetonin prej vitesh në Suedi dhe se kishin në plan të ktheheshin përfundimisht në Prishtinë. Por tragjedia e 29 nëntorit iu preu ëndrrat në mes.
Vjehrri i Liridonës rrëfeu se familjarët dhe fëmijët janë në gjendje shoku dhe se dy fëmijët e saj aktualisht ndodhen të familja e Liridonës në gjendje traume.
Shaban Murseli tha se mbrëmjen e tragjedisë nusja dhe djali u tij po ktheheshin në shtëpi nga një darkë dhe se ngjarja e rëndë sipas tij ndodhi vetëm 400 metra larg shtëpisë së çiftit.
Vjehrri u shpreh se ngjarja mund të ketë ndodhur edhe për shkak të punës së djalit të tij, i cili ka disa biznese në Prishtinë. Në të kaluarën ai ka qenë këshilltar i Behgjet Pacollit.
Ndërkaq, Shaban Murseli tha se Liridona kishte në çantë 3 mijë euro dhe se ajo është përballur me autorët për të mos t’i vjedhur paratë. Ai tha se sipas njërit variant, djali i tij kur ka parë personat e maskuar ka menduar direkt se ata mund të vriteshin familjarisht, prandaj dhe ka hapur derën e makinës për tu larguar bashkë me dy djemtë dhe gruan.
Por Liridona sipas vjehrrit, dyshohet se nuk është larguar dhe se është përballur me autorët, duke bërë rezistencë me ata, ose mund të ketë mbetur në makinë sepse mund të ketë ngecur rripi i sigurimit. “Nipi i vogël 4-vjeçar tha se njëri prej grabitësve i mori telefonin”, tha Shabn Murseli.
Shaban Murseli: Kanë qenë duke u kthye nga një darkë, 400 metra pa shkuar në shtëpinë e tyre. Ishte një rrugë fshati.Rruga ku ndodhi ngjarja kishte kamera sigurie. Dy fëmijët janë 4 dhe 6 vjeç. Ndoshta mund të ketë lidhje edhe me detyrën. Sipas info që unë kam Litridona kishte pasur një shumë të konsiderueshme në çantë. Ajo ka bërë rezistencë, nuk e ka lëshuar çantën. 3 mijë euro kishte në çantë. Naimi ishte duke ngarë makinën. Ata i kanë dalë me armë para makinës. Kur ju kanë dalë me armë, Naimi e ka kuptuar se do të vriten të gjithë dhe ka ikur nga makina. Flitet dhe një variant tjetër ku ka hapur derën e fëmijëve dhe i ka thënë bashkëshortes; ik, por ajo ka bërë rezistencë. Por mund të jetë ngatërruar me rripin e sigurimit pasi ishte stresi. Ata kanë grabitur të gjitha sendet me vlerë, ka pasur sende ari. Nipi i vogël 4-vjeçar tha që njëri prej grabitësev i mori telefonin. Fëmijët janë në traum. Janë te familja e Liridonës.
Gazetarja: Kush ju lajmëroi?
Shaban Murseli: Sa erdha në shtëpi më telefonon djali i vogël e më thotë “babi a ke fol me Naimin”, i thashë jo, ai më thotë që kanë vrarë Liridonën. Naimi ka biznese në Prishtinë. Kishin vendosur të ktheheshin në Kosovë, për të jetuar në Kosovë.