


Zhvillohet seanca e 26 për vrasjen e Hermes Beqirit të ndodhur më 4 nëntor 2017.
Prokuroria e Shkodrës kërkoi 12 vite burg për Elvis Hoxhën i akuzuar si autor i vrasjes të Hermes Beqirit dhe 8 vite për Ditmir Arifin i akuzuar si bashkëpunëtor në këtë vrasje. I pandehuri Hoxha dhe avokati mbrojtës i tij nuk e kanë pranuar autorësinë për vrasjen e Hermes Beqirit. I pandehuri deklaroi përpara gjykatës se në momentin e vrasjes ai nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes. Elvis Hoxha u shpreh se vrasja e Hermes Beqirit është kryer nga një person i tretë i cili e ka kërcënuar me jetë Elvisin dhe familjen e tij.
Avokati mbrojtës Kreshnik Kolndreaj deklaroi se Elvis Hoxha fillimisht e ka pranuar autorësinë e ngjarjes si shkak i presionit psikologjik në momentin kur është marrë në pyetje në prokurori dhe polici. Sipas mbrojtjes Hoxha s’ka qenë prezent sepse sipas kompanisë celulare rezulton se ka qenë të paktën 15 km larg nga vendi ku ndodhi vrasja.
Shtetasi tjetër i akuzuar Ditmir Arifi ka treguar me detaje vrasjen e ndodhur. Sipas tij është Elvis Hoxha ai që ka qëlluar Hermes Beqirin. Ditmir Arifi tha se ka bërë një xhiro me motorin e viktimës duke qenë se njiheshin dhe më pas Ditmiri ka bërë një xhiro i vetëm me motorin e viktimës. Në atë moment Elvis Hoxha dhe Hermes Beqiri janë konfliktuar.