Hapësire reklamuese

Aktualitet

Vrasja e Gentian Bejtjas,lihen në burg dy të arrestuarit Ilir Brahimi e Edison Haxhiu

Shkruar nga Newsbomb

Gjykata e Tiranës la në burg dy të arrestuarit ditën e djeshme të cilët dyshohet se kanë lidhje me ekzekutimin e Gentian Bejtjas në Fushë-Krujë, Ilir Brahimin dhe Edison Haxhiun.

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg pa afat për Brahimin dhe Haxhiun. Në lidhje me masën e sigurisë, avokati i të dyshuarve deklaroi se dy të arestuarit dhe tashmë të burgosur, nuk kanë lidhje me ngjarjen.

“Ne kërkojmë që të kryhet ekspertimi i GPS në makinë. Të arrestuarit nuk kanë lidhje me ngjarjen. Prokuroria nuk provoi që makina është e të arrestuarve. Prokuroria nuk provon se kush ishte në mjetin me xhamat e zinj”, - deklaroi avokati i dy të dyshuarve.

Policia arrestoi dje shtetasin Ilir Beqaraj alias Brahimi, alias Mançellari dhe Edison Haxhiu, të dy të dyshuar si të përfshirë në atentat.

Një ditë pas arrestimit të dy personave, hetuesit kan zbardhur rolet e autorëve në këtë atentat ku mbeti i vrarë Gentian Bejtja.

Hetuesit kanë saktësuar rolet përkatëse në ngjarje, të Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu. Ndërsa për Beqaraj thuhet se ishte transportuesi i 4 atentatorëve dhe se Edison Haxhiu ka qenë pronar i makinës.

Nga hetimet e policisë rezultoi se Beqaraj, është personi që ka transportuar 4 atentatorët nga vendi ku u dogj makina e parë “Land Rover Discover” në fshatin Hasan, në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, devijuan djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe iu drejtuan fshatit Bubq, Krujë.

Ilir Brahimi dhe Edison Haxhiu Ilir Brahimi dhe Edison Haxhiu

Hetuesit tashmë janë të bindur se nuk ka qenë ai në grupin e qitësve që gjetën hapur derën kryesore të oborrit dhe realizuan vrasjen. Burimet bëjnë me dije se Ilir Beqaraj mbërriti me makinën “Golf” pa targa në anën e pasme një minutë pasi autorët kishin djegur automjetin.

Makina tip “Golft” është dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore,ku priten të zbardhen më shumë detaje mbi ngjarjen.

Automjeti sipas policisë, do të ekzaminohet tërësisht në përpjekje për të gjetur prova biologjike të vrasësve që dyshohet të jenë me pagesë. Në drejtim të 43-vjeçarit Bejtja është qëlluar nga 3 kallashnikovë, kjo tashmë e provuar edhe nga rezultatet e ekspertizës.

Roli i pronarit të “Golfit”, Edison Haxhiu, po ashtu i arrestuar, mbetet akoma i paqartë, ndërsa deri tani për të akuza është për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, por nuk dihet më shumë për përfshirjen e tij.

Lexo edhe: Dalin fotot/ Këta janë dy personat e përfshirë në vrasjen e Gentjan Bejtjas

Krimet e rënda të Policisë së Tiranës nuk përjashtojnë mundësinë që pas vrasjes së Bejtjas të fshihen  grupe të ndryshme dhe porosia për vrasjen të ketë ardhur nga jashtë shtetit. Bejtja u ekzekutua me më shumë se 30 plumba pasditen e 15 marsit, brenda serës me domate në oborrin e shtëpisë. Nga makina “Land Rover Discover” që u ndal te porta e oborrit zbritën 3 persona, të cilët hynë qetësisht derdhën breshëri plumbash drejt tij dhe po aq qetësisht u larguan.

Golfi qe u perdor nga autoret

Lexo edhe: Ekzekutimi i Gentian Bejtjas në Fushë Krujë, dy persona në pranga (EMRAT)

Policia gjatë kontrollit në banesën e lir Beqarajt një prej autorëve të dyshuar të kësaj vrasje, ka gjetur: armë zjarri pistoletë me mbishkrimin VALTER me tetë fishekë, një armë zjarri e markës BENELLI e cila mbahej me lejen e organeve të policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse me mbishkrimin MIDLAND XT70, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., dy aparate celular të markës IPONE dhe një aparat celular i markës SAMSUNG.

Si ndodhi ngjarja

Kujtojmë që Gentjan Bejtja ka qenë në oborr duke vaditur disa fidanë domate, ku autorët të maskuar dhe veshur me të zeza kanë hyrë në portë dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt tij.

Autorët dyshohet se qëlluan që nga porta dhe më pas për të siguruar se e kishin vrarë, i janë afruar dhe e kanë qëlluar sërish. Plot 30 plumba kanë përshkruar trupin e Bejtjas që i shkaktuan edhe vdekjen.

Ish-policii i burgjeve, i cili i kishte shpëtuar disa herë atentateve e dinte se ishte më shënjestër dhe ndaj nuk jetonte në Fushë-Krujë, por ishte kthyer ditën e fundit pasi po bënte disa proceduar për të shitur shtëpinë e tij, gjë të cilën do ja besonte djalit të xhaxhait, ndërsa vetë kishte planifikuar që të largohej nga Shqipëria së bashku me familjen.

Shtepia e shtetasit Gentian Bejtja, ne Larushke /Marre nga Google
Shtepia e shtetasit Gentian Bejtja, ne Larushke /Marre nga Google

Ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja i cili u ekzekutua me armë zjarri më 15 mars në Larushk të Fushë Krujës ishte një emër i njohur për policinë e shtetit pasi ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale në të shkuarën.

Bejtja u vra në oborrin e shtëpisë së tij në Larushk të Fushë Krujës ishte i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda. Në 9 janar të vitit 2022, Gentian Bejtja ish-polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka i cili ndodhej me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti.

Gjithashtu, ish-polici Bejtja i ka shpëtuar edhe një atentati me minë të telekomanduar në vitin 2016. Në vitin 2022, ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga Klodian Stafuka. Asokohe Gentian Bejtja mbeti i plagosur, shkruan neësbomb.al.

Në verën e vitit 2023 ai ndodhej në oborrin e shtëpisë me kunatin dhe familjarë të tjerë, kur një togë vrasësish hapën zjarr me breshëri dhe i morën jetën Ramzan Sinos, plagosën Gentian Bejten dhe dy fëmijët e mitur të tij. Ramazan Sino ishte shofer në Prokurorinë e Tiranës.

Ai njihej edhe në zonë për konfliktet që ka pasur me vëllezërit Valter dhe Durim Bami. Gjithashtu, burime për mediat bëjnë me dije se Bejtja është marrë në pyetje në lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt.

Bejtja dhe miku i tij Stafuka janë dyshuar se kanë qenë autorët e atentati ndaj ish komisarit Dritan Lamaj. Gjithashtu është pyetur në lidhje me atentatin ndaj kushëririt të Vis Martinajt në Fushë-Krujë si dhe zhdukjen e Vis Martinajt, si person që ka informacion mbi ngjarjet.

Njoftimi i policisë së Tiranës:

Siç kemi njoftuar më parë, më datë 15.03.2024 është vrarë me armë zjarri, brenda rrethimit të banesës së tij, shtetasi Gentjan Bejtja.

Për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer dhe vazhdon të kryejë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me iniciativë apo të urdhëruara nga Prokurori.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.

Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intererarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.

Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit E. H., lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.

Po kështu ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi I. B., alias I. B., alias I. M., lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.

Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip Golf me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit E. H. dhe shoqërimin në ambientet e policisë.

Në vazhdim të veprimeve hetimore u bë e mundur gjetja dhe shoqërimi në ambientet e policisë edhe të shtetasit I. B., alias I. B., alias I. M.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit I. B., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin VALTER me tetë fishekë, një armë zjarri e markës BENELLI e cila mbahej me lejen e organeve të policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse me mbishkrimin MIDLAND XT70, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., dy aparate celular të markës IPONE dhe një aparat celular i markës SAMSUNG.

Të gjitha provat e administruara i janë nënshtruar ekzaminimeve kriminalistike dhe janë siguaruar elemente provash me prespektivë për hetimin e mëtejshëm të ngjarjes.

Në përfundim u arrestua në flagrancë shetasi I. B., alias I. B., alias I. M., i datëlindjes 21.04.1983, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuara nga nenet 278/2 dhe 186 të Kodit Penal.

Po kështu ky shtetas është i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së shtetasit Gentjan Bejtja.

U ndalua shetatsi E. H., i datëlindjes 30.07.1994, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë, për kryerjen e veprës penale, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal.

Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vazhdon me intesitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, identifikimin dhe vënien para përgjegjsisë ligjore edhe të autorëve të tjerë.

Për ecurinë e hetimit do të informojmë median dhe publikun në vazhdimësi.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese