Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

Vrasesit e autostradave!

Shkruar nga Newsbomb
Vrasesit e autostradave!

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al

Nga sot e deri në fund të Shatatorit, mundësia që ti apo një i afërmi yt i shtrenjtë të humbasë jetën në një aksident rrugor është 1000 herë më e madhe sesa kjo të ndodhë nga kovid-19!

Po po, coronavirusi nuk është më rrezik për ty këtë verë, rreziku më i madh janë “vrasësit e autostradave”! Kur them për ty, natyrisht kjo vlen edhe për mua, se edhe unë qarkulloj në rrugë, eci në trotuar apo pi kafe në ndonjë lokal buzë rruge!

Përse bëj krahasim midis aksidenteve rrugore dhe kovidit? Sepse njeriu është qenia më inteligjente, njëherazi më hipokrite dhe më idiote që popullon koren e Tokës!

Njerëzit mbyllen në shtëpi, dezinfektojnë çdo gjë, lajnë duart njëzet herë në ditë, mbajnë maska, distancohen, humbasin punën... vetëm e vetëm që të ruajnë “bythën” nga infektimi me coronavirus, i cili vret vetëm 5 nga 1000 të prekur!

Po këta njerëz, marrin makinën dhe dalin në rrugë, aty ku njerëz të papërgjegjshëm, nën efektin e substancave të ndaluara ose jo, me celular në dorë ose jo, të përgjumur ose jo, i godasin dhe  i plagosin! Në rastin më të keq, u marrin jetën!

Dikush mund të mendojë se krahasimi nuk qëndron. Njerëzit do të jetojë dhe jeta të kërkon të ngasësh makinën tënde në të njejtën rrugë ku e ngasin edhe të tjerët. Njerëzit janë të ndërgjegjshëm se rruga ka rreziqe dhe aksident mund të shkaktojnë të gjithë, edhe ti vetë!

Dua të ndalem pak këtu. Tek termi AKSIDENT, i cili është justifikimi i pranuar botërisht i të keqes që mund të të gjejë në rrugë! Aksidenti është një dukuri mekanike e padëshiruar por jo gjithmonë e evitueshme. Për të minimizuar aksidentet, njerëzit marrin një sërë masash paraprake, por edhe pasi aksidenti ndodh. Aksident pa dashje quhet kur të paktën njëri nga shoferët e përfshirë, ka qenë i pakujdesshëm. Kur shoferi ka shkelur për një çast të paktën njërin nga rregullat e qarkullimit rrugor, aksidenti ka një fajtor i cili duhet ndëshkuar sipas ligjit.

Por kujdes! Nëse dikush niset të ngasë makinën i ndërgjegjshëm që është në shkelje të rregullave dhe e kryen këtë në mënyrë të përsëritur megjithëse është ndëshkuar administrativisht apo penalisht për shkelje të rregullores së qarkullimit edhe më parë, përplasja me tjetrin nuk quhet më aksident, por është një VRASJE. Sepse makina është një armë, o vëllezër! Është një tank që ti o i papërgjegjshëm, ti o idiot, ti o kriminel e lëviz me shpejtësinë e një avioni! Ti që me këmbën tënde shtyp pedalin e gazit “për qejf”, në atë moment je duke nisur autoambulanca apo helikopterë drejt vendit të “aksidentit”, që për ty është vendi i kënaqësisë maksimale! Je duke hapur varre, duke veshur nëna me të zeza, duke lënë fëmijë pa prindër dhe motra pa vëllezër! A i mendon të gjitha këto ti, o idiot përsëritës?

Më kap një inat i pangushëllueshëm kur shoh në lajme që çdo ditë hiqen patenta dhe arrestohen “pilotë të vdekjes”, por më përfshin edhe një frikë e papërballueshme, kur mendoj se ata që kapen janë vetëm një pakicë e vogël. Shumicën e kemi në qarkullim, çdo ditë, gati për të na bërë të zezën neve, që jemi të rregullt sepse kështu duhet me qenë!

A po bëjmë mjaftueshëm për të parandaluar pasojat e këtij armiku të përditshëm? Po të pyes edhe njëherë, o njeri! A ka kuptim sakrifica jote në një luftë me një armik të padukshëm, virusin, kur ti përpiqesh kaq pak për të luftuar dhe evituar armikun e dukshëm, makinën vrastare?!

Sondazh

Poll