Tirana
scattered clouds
15.5 ° C
15.5 °
15.5 °
88 %
1.5kmh
40 %
Mër
24 °
Enj
23 °
Pre
26 °
Sht
23 °
Die
23 °
E mërkurë, 28 Shtator, 2022

Votimi i emigrantëve, propozimi i KQZ: Votojnë ata që banojnë jashtë për më shumë se 3 muaj (Hapat që duhen ndjekur për të aplikuar)

spot_img

Lajme të ngjashëm

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka propozuar draftin për rregullat për regjistrimin e zgjedhësve që jetojnë jashtë vendit dhe votimin në zgjedhjet për Kuvendin.

Në njoftimin e KQZ thuhet se të drejtë votimi do të kenë ata shtetas shqiptarë të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë për më shumë se 3 muaj.

Ata do të aplikojnë për të votuar online në faqen e KQZ. Aplikim i cili do të bëhet jo më vonë se 60 ditë nga data e zgjedhjeve. Nëse do të ketë gabim në të dhëna ata do të njoftohen më e-mail dhe do kenë të drejtë të riaplikojnë.

“Çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për një periudhë më të gjatë se tre muaj pa ndërprerje ose për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj, në një vit kalendarik sipas parashikimeve në dispozitat e Ligjit Nr. 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të republikës së shqipërisë”, nga këtu e vijim në këtë vendim i referuar si “votues nga jashtë”, ka të drejtë të votojë atje ku ai ka vendbanimin e tij, pasi të ketë shprehur vullnetin për të votuar, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim, thuhet ne dokumentin e KQZ.

PROJEKTVENDIM PËR RREGULLAT PËR REGJISTRIMIN E ZGJEDHËSVE NGA JASHTË VENDIT PËR ZGJEDHJET PËR KUVENDIN

Komisioni Rregullator, në mbështetje të nenit 20, paragrafi 1, shkronja “dh”, nenit 24, nenit 25, nenit 46, paragrafi 3, të Ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator,

VENDOSI:

1) Çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për një periudhë më të gjatë se tre muaj pa ndërprerje ose për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj, në një vit kalendarik sipas parashikimeve në dispozitat e Ligjit Nr. 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të republikës së shqipërisë”, nga këtu e vijim në këtë vendim i referuar si “votues nga jashtë”, ka të drejtë të votojë atje ku ai ka vendbanimin e tij, pasi të ketë shprehur vullnetin për të votuar, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim.

2) Procedura për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e votuesve nga jashtë fillon jo më vonë se 15 ditë nga data e shpalljes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës për zgjedhjet për Kuvendin dhe përfundon jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

3) Kërkesa për regjistrim bëhet nga vetë votuesi nga jashtë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të tij, ose nëpërmjet një aplikacioni të instalueshëm në pajisje të ndryshme inteligjente, i miratuar nga KQZ.

4) Votuesi nga jashtë që kërkon të regjistrohet duhet të plotësojë të dhënat që i kërkohen në formularin përkatës elektronik i cili i vihet në dispozicion sipas pikës 3 të këtij vendimi.

5) Formulari përkatës elektronik përmban të dhëna mbi: emrin, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, numrin personal të identifikimit, adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, një numër telefoni të lëvizshëm funksional, një adresë e-mail të vlefshme. Zgjedhësi nga jashtë duhet t’i bashkangjisi (ngarkojë) të dhënave të mësipërme edhe një foto të dokumentit identifikues të tij të lëshuar nga shteti shqiptar dhe/ose nga shteti ku ai banon.

6) Komisioneri nëpërmjet administratës së KQZ vërteton vullnetin e votuesit nga jashtë për t’u regjistruar, nëpërmjet identifikimit biometrik të tij, ose nëpërmjet një mënyre tjetër me mjete elektronike, e cila sigurohet plotësisht mbi vërtetësinë e identitetit të votuesit që ka bërë kërkesën për regjistrimin. Në rast të mosfunksionimit për arsye teknike të sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit procedurat për regjistrimin e votuesve nga jashtë vendit do të zhvillohen sipas Urdhërit të dalë për këtë qëllim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili publikohet dhe konsultohet publikisht në faqen zyrtare të internetit të KQZ.

7) KQZ ka të drejtën e verifikimit të përputhshmërisë së të dhënave të formularit përkatës elektronik të plotësuara nga votuesi nga jashtë me të dhënat e tij në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC). Nëse votuesi nga jashtë nuk ka deklaruar vendbanimin e tij në përputhje me përcaktimet e ligjit 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” dhe akteve nën ligjore të nxjerra në zbatim të tij ose të dhënat e formularit përkatës elektronik nuk përputhen me ato të RKGjC, atëherë kërkesa për regjistrim refuzohet. Në këtë rast, votuesi nga jashtë njoftohet për refuzimin nëpërmjet e-mail, ose mesazhit telefonik, ose automatikisht pas aplikimit për regjistrim nëpërmjet faqes zyrtare së internetit të KQZ, ose aplikacionit përkatës. Votuesi të cilit i është refuzuar kërkesa për regjistrim, ka të drejtën të ri-aplikojë duke respektuar afatet e përcaktuara në këtë vendim.

8) KQZ përfshin në një listë të posaçme emrat dhe të dhënat e tjera identifikuese të votuesve nga jashtë të cilëve ju është pranuar kërkesa për tu regjistruar për të votuar atje ku ata kanë vendbanimin jashtë vendit, këtej e tutje referuar si Indeksi i Votuesve nga Jashtë (IVJ).

9) Me përjashtim të zhvillimit për herë të parë të votimit nga jashtë vendit, në zgjedhjet pasardhëse për Kuvendin e në vijim, KQZ do duhet që në ndërveprim me DPGjC të përditësojë adresat jashtë vendit të deklaruara nga votuesit nga jashtë të cilët figurojnë ndërkohë të regjistruar në IVJ. Në çdo rast, në zbatim të parashikimeve të Kodit Zgjedhor këta zgjedhës do duhet të shprehin vullnetin për të ushtruar të drejtën e votimit, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim, pa pasur nevojë për të dhënë sërish të dhëna apo dokumente të cilat i ka vënë në dispozicion më parë dhe nuk kanë ndryshime. Komisioneri Qendror i Zgjedhjeve miraton me Urdhër procedurat e ruajtjes dhe përditësimit të informacionit që mban IVJ.

10) Jo më vonë se 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve KQZ e dërgon IVJ-në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile (DPGJC).

11) DPGJC harton listën e zgjedhësve sipas përcaktimeve të nenit 56 të Ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, duke hequr nga kjo listë emrat e atyre personave që përmban IVJ.

12) DPGjC harton listën e zgjedhjësve nga jashtë vendit sipas përcaktimeve të nenit 46, paragrafi 3, të Ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

13) Subjektet zgjedhore të regjistruara në këto zgjedhje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me kërkesën e tyre dhe pa pagesë, mund të marrin nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe/ose Komisioni Qendror i Zgjedhjeve një kopje elektronike të listave të zgjedhësve nga jashtë vendit.

14) Në rastin kur kërkesa për regjistrim është pranuar, atëherë KQZ njofton votuesin nga jashtë se ai do të hiqet nga lista e zgjedhësve të cilët votojnë brenda territorit të RSH dhe se do të pajiset me fletë votimi për të votuar atje ku ai ka vendbanimin.

15) Në rastin e zgjedhjeve të parakohshme procedura për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e votuesve nga jashtë fillon jo më vonë se 2 ditë nga data e shpalljes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës për zgjedhjet për Kuvendin dhe përfundon jo më vonë se 15 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

16) Përfaqësuesit e partive politike në KQZ, kanë të drejtën të njihen paraprakisht me të gjitha sistemet dhe/ose pajisjet e teknologjisë së informacionit që sigurojnë procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë sipas parashikimeve të këtij vendimi.

17) Sistemet dhe pajisjet e teknologjisë së informacionit të përdoruara për qëllime të zbatimit të këtij vendimi i nënshtrohen një testimi paraprak në prani të partive politike, medias dhe organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, etj.

18) Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të KQZ.

19) Kundër këtij vendimi mundet të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë, brenda (5) ditëve nga shpallja e këtij vendimi.

***

RELACION

PËR

PROJEKTVENDIMIN

RREGULLAT PËR REGJISTRIMIN E ZGJEDHËSVE NGA JASHTË VENDIT PËR ZGJEDHJET PËR KUVENDIN

  1. VLERËSIMI I LIGJSHMËRISË DHE HARMONIZIMI ME LEGJISLACIONIN NË FUQI

Referuar shkronjës “dh”, të paragrafit 1, të nenit 20, është parashikuar kompetenca e Komisionit Rregullator për miratimin e rregullave për regjistrimin e votuesve nga jashtë vendit për zgjedhjet për Kuvendin. Referuar paragrafit 4, të nenit 12, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Komisioni Rregullator (Rregullatori) është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet.

Në zbatim të dispozitave të sipërcituara, të cilat përcaktojnë kompetencën e Komisionit Rregullator për të shqyrtuar dhe miratuar vendimin “Rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit për zgjedhjet për Kuvend” është hartuar ky projektvendim.

Neni 24 i Kodit Zgjedhor, përcakton se KQZ udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjithë aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendi, sipas këtij ligji. Për realizimin e procedurës së votimit nga jashtë vendit është i domosdoshëm plotësimi i një parakushti thelbësor, i cili është regjistrimi i adresës së vendbanimit jashtë vendit të zgjedhësve nga jashtë.

Zgjedhësi që kërkon të ushtrojë të drejtën e tij të votimit nga jashtë vendit duhet të ketë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit jashtë vendit në përputhje me parashikimet e Ligjit 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” dhe akteve nën ligjore të nxjerra në zbatim të tij. Referuar nenit 46, paragrafi 3, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, përcakton se lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit përfshin vetëm zgjedhësit me vendbanim jashtë vendit, të cilët deklarojnë vullnetin për të ushtruar të drejtën e votimit, sipas rregullave të dala në zbatim të nenit 24 të këtij ligji.

  1. PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË PROJEKTAKTIT

Ky projektvendim hartohet në kuadër të risive që solli Kodi Zgjedhor në vitin 2020 për zhvillimin për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, i cili nuk u bë i mundur në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Qëllimi i këtij projektvendimi, është përgatitja e kushteve dhe zbatimi i masave që mundësojnë regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvendin, në mënyrë që votimi nga jashtë të jetë automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.

Objekti i këtij projektvendimi, është përcaktimi i rregullave për mundësimin e regjistrimit për këta zgjedhës që të mund të votojnë atje ku kanë vendbanimin. Ky projektvendim përcakton procedurën për paraqitjen e kërkesave për regjistrim, kushtet dhe kriteret për tu regjistruar si votues nga jashtë, verifikimin e përputhshmërisë së të dhënave, hartimin e listës së zgjedhësve nga jashtë vendit, si dhe afatet ligjore që duhen respektuar lidhur me këto hapa.

Çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për një periudhë më të gjatë se tre muaj pa ndërprerje ose për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj, në një vit kalendarik., nga këtu e vijim në këtë vendim i referuar si “votues nga jashtë”, ka të drejtë të votojë atje ku ai ka vendbanimin e tij, pasi të jetë regjistruar në një Indeks të posaçëm, sipas rregullave të përcaktuara në këtë projektvendim.

Ky proces, sipas këtij projektvendimi, është parashikuar të fillojë jo më vonë se 15 ditë nga data e shpalljes së dekretit të Presidentit për ato zgjedhje dhe të përfundojë jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Afati i fillimit është lënë në diskrecionin e Komisionit Rregullator pasi nuk ka parashikime për të në Kodin Zgjedhor ndërsa afati i përfundimit është parashikuar jo më vonë se 60 nga data e zgjedhjeve për t’i lënë kohën e duhur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të shqyrtojë kërkesat e zgjedhësve nga jashtë, t’i procesojë ato dhe të dërgojë IVJ-në DPGjC-së jo më vonë se 45 ditë nga data e zgjedhjeve me qëllim që kjo e fundit të mund të zbatojë afatet që parashikohen në nenin 56 të Kodit Zgjedhor për përgatitjen dhe shpalljen e listës së zgjedhësve.

 

Projektvendimi përcakton se kërkesa për regjistrimin si votues jashtë vendit, bëhet nga vetë votuesi nga jashtë dhe kjo e drejtë nuk mund të transferohet. Kërkesa bëhet pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në dy forma: nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të këtij institucioni, ose nëpërmjet një aplikacioni të instalueshëm në pajisje të ndryshme inteligjente, i miratuar nga KQZ-ja; kjo për arsye të automatizimit të procesit të paraqitjes së kërkesave dhe shqyrtimit të tyre si dhe eliminimit të barrës administrative për këta zgjedhës dhe lehtësimit të aspekteve logjistike për shkak të shpërndarjes territoriale të këtyre zgjedhësve në mbarë botën.

Në dy format e parashtruara më sipër zgjedhësi do duhet të deklarojë disa nga të dhënat identifikuese të tij.

Ky projektvendim përcakton kompetencën e KQZ-së (Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve) për vërtetimin e vullnetit të votuesit nga jashtë për t’u regjistruar, nëpërmjet identifikimit biometrik të tij, ose nëpërmjet një mënyre tjetër me mjete elektronike, duke u siguruar kështu mbi vërtetësinë e identitetit të votuesit që ka bërë kërkesën për regjistrim. Për të bërë të mundur këtë, do duhet që të dhënat e deklaruara nga zgjedhësi të kryqëzohen me të dhënat e tij/saj në RKGjC. Nëse nga ky kryqëzim rezulton se të dhënat përputhen, atëherë kërkesa për regjistrim pranohet, nëse jo, atëherë ajo refuzohet.

Votuesi të cilit i është refuzuar kërkesa për regjistrim, ka të drejtën të ri-aplikojë duke respektuar afatet e përcaktuara në këtë vendim.

Me përjashtim të zhvillimit për herë të parë të votimit nga jashtë vendit, në zgjedhjet pasardhëse për Kuvendin e në vijim, KQZ do duhet që në ndërveprim me DPGjC të përditësojë adresat jashtë vendit të deklaruara nga votuesit nga jashtë të cilët figurojnë ndërkohë të regjistruar në IVJ. Në çdo rast, në zbatim të parashikimeve të Kodit Zgjedhor këta zgjedhës do duhet të shprehin vullnetin për të ushtruar të drejtën e votimit, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim, pa pasur nevojë për të dhënë sërish të dhëna apo dokumente të cilat i ka vënë në dispozicion më parë dhe nuk kanë ndryshime. Komisioneri Qendror i Zgjedhjeve miraton me Urdhër procedurat e ruajtjes dhe përditësimit të informacionit që mban IVJ.

Zgjedhësi i cili është regjistruar një herë nuk ngarkohet me barrë administrative për të ri-bërë të gjithë procesin nga e para, por do duhet, sipas Kodit Zgjedhor, ta shprehë vullnetin për të votuar nga jashtë.

Në rastin kur kërkesa për regjistrim pranohet, është detyrim i KQZ të njoftojë votuesin nga jashtë se ai do të hiqet nga lista e zgjedhësve të cilët votojnë brenda territorit të RSH dhe se do të pajiset me fletë votimi për të votuar atje ku ai ka vendbanimin.

Projektvendimi përcakton detyrimin që ka Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGJC) të hartojë listën e zgjedhësve sipas përcaktimeve të nenit 56 të Ligjit Nr. 10019 datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, duke hequr nga kjo listë emrat e personave që përmban Indeksi i Votuesve nga Jashtë (IVJ), i cili është listë e posaçme me emrat dhe të dhënat e tjera identifikuese të votuesve nga jashtë të cilëve ju është pranuar kërkesa.

Gjithashtu, projektvendimi parashikon të drejtën e përfaqësuesve të partive politike në KQZ, të njihen me të gjitha sistemet dhe/ose pajisjet e teknologjisë së informacionit që sigurojnë procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë sipas parashikimeve të këtij projektvendimi. 1) Subjektet zgjedhore të regjistruara në këto zgjedhje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me kërkesën e tyre dhe pa pagesë, mund të marrin nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe/ose Komisioni Qendror i Zgjedhjeve një kopje elektronike të listave të zgjedhësve nga jashtë vendit.

Për sa më lart, në këtë relacion, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, brenda kompetencave të veta, dhe në respektim të detyrimeve e afateve ligjore të përcaktuara në Ligjin nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, i propozon për shqyrtim dhe miratim Komisionit Rregullator projektvendimin, “Rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë për zgjedhjet për Kuvendin”.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve

 

 

Më shumë


spot_img
spot_img
spot_img