Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Vlora Hyseni, sekretet e "kryespiunes" me visto amerikane

Shkruar nga Newsbomb
Vlora Hyseni, sekretet e "kryespiunes" me visto amerikane

Vetëm pak kohë në drejtim të SHISH, opozita e bëri target duke e akuzuar për një vizitë të fshehtë në Beograd dhe bashkëpunëtore e Vuçiç për të spiunuar tek Putin, presidenti Rus. Përse u trazua shërbimi sekret shqiptar dhe sa të vërteta janë akuzat e ngritur nga Sali Berisha. Çfarë përfaqëson gruaja që qëndron mes Albin Kurtit - që e shkarkoi si Drejtore e Agjensisë së Kosovës për Inteligjencë - dhe Edi Ramës që e emëroi si drejtore të SHISH. Prapaskenat se kush qëndron pas këtyre sulmeve dhe mbështetja e plotë që ka nga SHBA.

NGA ROLAND QAFOKU

Në kulmin e krizës në Veriun e Kosovës, një lajm më shumë se një skandal, qarkulloi në disa portale të Tiranës. Në pak minuta, i njëjti informacion u kthye në versionin zyrtar të Partisë Demokratike të Rithemelimit dhe kryetari i saj Sali Berisha publikoi një deklaratë më 31 maj në faqen e tij zyrtare në facebook duke e shoqëruar me titullin:

“Vizita e fshehtë e Vlora Hysenit në Beograd, kërcënim për sigurinë e Kosovës, Shqipërisë, rajonit dhe NATO-s”.

Me etiketimin “konfidentja e Ramës”, në të Berisha shtonte se Hyseni ishte emëruar si urë lidhëse mes kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç për të bashkërenduar veprimtarinë kundër Kosovës duke shkuar deri në Rusi. Shkroi Berisha:

“Vizita e fshehtë e Vlora Hysenit në Beograd, po të kemi parasysh se ajo drejton Shërbimin Inteligjent të një vendi anëtar të NATO-s, është një ogur i keq për të gjithë informacionin e klasifikuar të NATO-s, i cili nëpërmjet Hysenit mund të përfundojë në duart e padronit të Edi Ramës, Putinit të Vogël dhe nga ai, në duart e Putinit të Madh”.

Lajmi dhe qëndrimi i Berishës ishin vërtetë në kufijtë ekstremë të një “tradhtie të madhe”, gati- gati si të kishim të bënin me spiunen e famshme të CIA-s, Ethel Rosenberg, e cila në vitet 50-të i shiste të dhëna KGB-së së Bashkimit Sovjetik. Kaq mjaftoi dhe faqja zyrtare e Berishës në facebook “mori flakë”. Disa komentues e besonin vërtetë këtë version dhe fantazia në ato që shkruanin ndjekësit e tij shkonte deri atje sa e krahasuan këtë vizitë me takimin e Fatos Nanos me Sllobodan Millosheviçin në Kretë në vitin 1997.

Por, habia ishte se me 1002 likes, 111 komente dhe 46 shares, kjo histori me “poker spiunësh” nuk rezulton nga më të ndjekurit në faqen e Berishës. Megjithatë, PD e Rithemelimit nuk e la me kaq. Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, deputet, anëtar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe ishministër i Brendshëm, shkoi edhe më tej teksa deklaroi se vizita e Hysenit në Beograd zgjati 10 ditë. Me anën e një letre publike ai i kërkoi presidentit Bajram Begaj informacione lidhur me inkursionin e drejtores së SHISH.

Vetëm 24 orë më pas, me vlerën e një kombinati zjarrfikës, kryeministri Edi Rama e përgënjeshtroi lajmin me një stil për ta zhvlerësuar në maksimum. Tha Rama në “Opinion”: “Natyrisht që nuk ka qenë. Nuk ka nevojë të tirret dhe të bëhet legjendë. Mjafton që të ngrinit telefonin dhe të bënit pyetje për të marrë edhe një përgjigje”. Përgënjeshtrimin e kryeministrit e konfirmojnë edhe disa zyrtarë në SHISH që e hedhin poshtë versionin se ajo ka qenë në Beograd me faktin e thjeshtë se Vlora Hyseni gjatë kësaj periudhe ka qenë vetëm në vendin e punës.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetedy të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Qershor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese