
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë si dhe ka kujtuar në ditën e tij të lindjes komndatin legjendar Adem Jasharin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale presidentja Osmani shprehet se kjo ditë është dedikim për heronjtë shqiptarë.
“Flamuri ynë kombëtar është trashëgimi e përjetësuar në simbol që nga viti 1443 në Krujë, 1912 në Vlorë dhe 1999 në Prishtinë. Kjo ditë është dedikim për heronjtë tanë që prej Gjergj Kastriotit, Ismajl Qemajlit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e deri te Adem Jashari, vepra e të cilëve është vula e shtetit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.
Republikës së Shqipërisë ia përcjell urimet më të ngrohta të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës në këtë 111 vjetor. Kosova do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë, duke thelluar më tej lidhjet ndërshtetërore, sikurse edhe ato ndërmjet motrave e vëllezërve”, ka shkruar Osmani.