Policia në bashkëpunim me OSHEE kanë vijuar aksionin për parandalimin dhe ndërprerjen e vjedhjes së energjisë elektrike duke arrestuar 11 persona. Për prerje të paligjshme të pyjeve është arrestuar një person ndërsa për ndërtim pa leje janë arrestuar 2 perosna.
Janë kryer 3.432 kontrolle në terren ndërsa gjatë kontrolleve u evidentuan 22 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 22 autorë.
Nga këta, 11 autorë janë arrestuar në flagrancë, 4 autorë janë shpallur në kërkim dhe 7 autorë ndiqen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimeve të paligjshme, nga ana e Strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë evidentuar 17 raste të ndërtimeve pa leje.
Për këto raste janë evidentuar dhe proceduar 17 autorë nga të cilët, 2 autorë janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 15 autorë ndiqen në gjendje të lirë.
Në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve , gjatë kësaj periudhe në të gjithë vendin janë evidentuar 7 raste me 7 autorë, nga të cilët 1 është arrestuar në flagrancë dhe 6 ndiqen në gjendje të lirë.
Ndërsa në fushën e organizimit të lotarive të palejuara , Policia e Shtetit ka evidentuar 5 raste me 5 autorë, të cilët ndiqen në gjendje të lirë.
Edhe në javët në vazhdim , Strukturat e Policisë së Shtetit do vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme.