Hapësire reklamuese

Aktualitet

Vila në Palasë, Tiranë dhe 4 makina luksoze, sekuestrohen pasuritë me vlerë 2 MILION EURO të 34-vjeçarit (EMRI-DETAJE)

Shkruar nga Newsbomb
Vila në Palasë, Tiranë dhe 4 makina luksoze, sekuestrohen

Policia e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro të një 34-vjeçari të dyshuar për disa vepra penale.

Mes pasurive të sekuestruara është një vilë në Palasë të Vlorës, një vilë në Sauk, një apartament në rrugën e Elbasanit në Tiranë si dhe 4 automjete.

Newsbomb.al mëson se bëhet fjalë për shtetasin Stivens Alku, i njohur edhe me emrat Geralf apo Serxho Kadriu. Alku dyshohet se merrej me trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe më pas në Europë.

Tre vite më parë, ai rezulton të jetë arrestuar në Gjermani, me një sasi të madhe parash cash në makinë. Bëhet me dije se një pjesë të madhe të parave ai e kishte investuar në prona në Tiranë dhe bregdet.

34-vjeçari rezulton person i shpallur në kërkim nga Gjermania dhe Holanda me akuzat e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Finalizohet operacioni policor i koduar "Transaksionet".

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Sekuestrohen pasuri që arrijnë vlerën 2 milionë euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit. 

Në vijim të punës gjurmuese për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë

kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar "Transaksionet", u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasit S. A. alias G. K. alias S. K., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas është ndaluar më parë nga autoritetet policore hollandeze dhe gjermane, si i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrim parash”.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 2 milionë euro, konkretisht: 

Një ndërtesë (vilë), së bashku me një sipërfaqe trualli, në Palasë, Vlorë; një ndërtesë (vilë) në Sauk; një apartament në Rrugën e Elbasanit; dy sipërfaqe toke në Sauk; 4 automjete dhe 20% të aksioneve të një biznesi privat.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll