Një drejtues mjeti është gjobitur me 600 mijë lekë të vjetra dy ditë radhazi nga Policia Rrugore e Tiranës dhe në bazë të Kodit Rrugor, i janë hequr pikët nga leja e drejtimit. Ai është konstatuar në Tiranë duke lëvizur me shpejtësi dhe bënte manovra të rrezikshme.
Efektivët kanë lokalizuar mjetin dhe kanë vepruar në bazë të ligjit. Por të nesërmen, shoferi i ndëshkuar me gjobën shembullore dhe heqjen e pikëve nga patenta, ka kryer përsëri të njëjtën shkelje.
Policia Rrugore e Tiranës ndan pamjet flagrante të shoferit me mjet luksoz Mercedes Benz model "CLA" dhe thotë se drejtuesi ka marrë ndëshkimin më të rëndë që parashikon Kodi Rrugor.
"Dy ditë, dy shkelje të njëjta, zero tolerancë për përsëritje. Një mjet i konstatuar nga autopatrullat civile të Policisë Rrugore, ka thyer rregullat e shpejtësisë dy herë radhazi. Ndaj tij u vendos masë administrative prej 60 000 lekë për shkeljet, si dhe pikë të hequra nga leja e drejtimit.
Ky rast është një kujtesë e rëndësishme për të gjithë drejtuesit e mjeteve: "Të jemi të kujdesshëm, të respektojmë shpejtësinë dhe të jemi të vetëdijshëm për pasojat e veprimeve tona. Rregullat e qarkullimit rrugor duhen zbatuar që të gjithë të jemi të mbrojtur."
Mos lejoni që një moment pakujdesie të kthehet në një pasojë të rëndë të jetës suaj apo të të tjerëve. Ndajeni këtë mesazh me të tjerët, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të siguruar rrugë më të sigurta për të gjithë", njofton Policia Rrugore e Tiranës.